Kujtime Ahmeti: Kam ecur mbi xhama të thyer, në skenë nuk hyj për të kërkuar leje
Rruga e Kujtime Ahmetit drejt skenës nuk ka nisur nga qendrat ku zakonisht ndërtohen karrierat artistike, por nga Velesi, një qytet i cili nuk ofron shumë, veçanërisht për shqiptarët. Mes shumë pengesave, refuzimeve dhe betejave të heshtura për t’u parë dhe për t’u vlerësuar, ajo nuk e sheh veten si viktimë të rrethanave. Në një bisedë për Portalb.mk, Ahmedi foli hapur për anën më pak të dukshme të aktrimit, sfidat, mundësitë, pasigurinë, kompromiset dhe presionin për tu dëshmuar në skenë.
Portalb.mk: Vjen nga Velesi, larg qendrave ku zakonisht ndërtohet karriera artistike. Çfarë të është dashur të kapërcesh për të hyrë në aktrim dhe a të ka bërë kjo rrugë më këmbëngulëse apo më dyshuese ndaj vetes?
Kujtime Ahmeti: Të vish nga rrethi do të thotë ta nisësh garën pa asnjë avantazh të dhuruar. Rruga ime nuk ka qenë e shtruar me tepih të kuq, por me copza xhamash të thyer mbi të cilët kam ecur, pa u ndalur kurrë, sepse një luaneshë nuk kërkon rrugë të lehtë, kërkon vetëm të vërtetën e saj. Dhe më e rëndësishmja për mua ka qenë që në çdo hap të ruaj një ndërgjegje absolutisht të pastër, pa i bërë keq askujt e pa i hyrë në hije kërkujt. Distanca nuk më bëri dyshuese, më bëri të patundur. Friedrich Nietzsche ka thënë: “Ajo që nuk më vret, më bën më të fortë.” Velesi më dha diçka që qendrat s’ta japin dot: më mësoi se forca nuk matet me duartrokitjet që merr kur gjërat shkojnë mirë, por me dinjitetin e pastër me të cilin qëndron në këmbë kur rruga bëhet e ashpër.
Portalb.mk: Në aktrim shpesh thuhet se nuk mjafton vetem talenti, duhet edhe të pranohesh, të zgjedhesh dhe të të jepet hapsirë. Si ka qenë kjo në rastin tënd?
Kujtime Ahmeti: Talenti është vetëm ajo që ke brenda vetes. Por karriera fillon aty ku dikush të jep mundësinë ta tregosh. Dhe unë do të gënjeja nëse do të thosha se gjithmonë kam pasur hapësirën që kam menduar se e meritoj. Ka pasur raste kur jam ndier e padukshme. Jo domosdoshmërisht e refuzuar, sepse edhe refuzimi kërkon të të kenë parë. Ndonjëherë thjesht nuk je futur në dhomën ku merren vendime. Kjo është një nga anët më të dhimbshme të profesionit: mund të jesh e përgatitur, mund të kesh talent, mund të kesh punuar vite, por nëse nuk të jepet mundësia, askush nuk e di se çfarë ke brenda.
Por kjo më ka mësuar diçka të rëndësishme: nuk dua që vlera ime të varet nga fakti nëse dikush më ka zgjedhur apo jo. Sigurisht që dua të zgjidhem. Dua role të mëdha, dua hapësirë, dua të më shohin. Por dua që kur të më jepet ajo hapësirë, të mos jem aty vetëm sepse dikush më dha një shans. Dua të jem aty sepse kam diçka për të thënë.

Portalb.mk: Cili ka qenë momenti në karrierë kur ke kuptuar se aktrimi nuk është vetëm skenë dhe duartrokitje, por edhe refuzime, pasiguri dhe kompromis? Dhe si të ka ndryshuar kjo?
Kujtime Ahmeti: Kam përqafuar filozofinë e stoikëve: ti nuk kontrollon dot stuhinë ose vendimet e të tjerëve, por kontrollon me çfarë dinjiteti qëndron brenda stuhisë. Refuzimet më kanë mësuar se vetëvlerësimi im si aktore nuk varet nga një “Po” apo një “Jo” e përkohshme. Kam mësuar të bëj kompromis me lodhjen time fizike, me orët pa gjumë, me djersën… por kurrë, në asnjë rrethanë, me dinjitetin dhe ndërgjegjen time.
Portalb.mk: A ka kufi ku aktrimi pushon së qenuri transformim artistik dhe fillon të bëhet sakrificë personale?
Kujtime Ahmeti: Po, ekziston një vijë e shenjtë. Aktrimi kërkon të marrësh nga anatomia e shpirtit tënd, nga kujtimet, nga dhimbjet e tua për t’i shkrirë te personazhi. Por sakrifica bëhet e dëmshme kur ti lejon që arti të të gërryejë atë që je si njeri. Kufiri im është intaktiliteti i paqes sime të brendshme. Jam e gatshme të lë shpirtin në skenë, të përjetoj katharsis-in më të thellë përpara publikut, por kurrë nuk do të lejoja që profesioni të cenojë mirësinë, pastërtinë dhe parimet me të cilat e shoh botën. Roli përfundon kur bie perdja; njeriu brenda meje duhet të mbetet i paprekur.
Portalb.mk: Si grua shqiptare në skenën e Maqedonisë së Veriut, a ke ndier ndonjëherë se duhet të dëshmosh më shumë se të tjerët për të marrë të njëjtin vlerësim?
Kujtime Ahmeti: Të jesh grua shqiptare në këtë skenë do të thotë të mbash mbi supe një peshë të dyfishtë. Po, ka pasur momente kur terreni ka qenë më i ashpër dhe është dashur të punoj dyfish për të marrë të njëjtën hapësirë. Por unë refuzoj ta shoh veten përmes optikës së viktimës. Nëse rruga ime ka qenë me më shumë pengesa, kjo thjesht e ka bërë karakterin tim më të pamposhtur. Unë nuk hyj në skenë për të kërkuar leje apo për të matur veten me të tjerët; unë hyj për të vendosur një standard profesionalizmi. Kur arti yt buron nga një punë e ndershme dhe me integritet absolut, ai e kapërcen çdo barrierë etnike apo sociale. Nuk dua të më shohin si “aktoren shqiptare që ia doli”. Dua të më shohin si aktore që është shqiptare. Dallimi është i madh.

Portalb.mk: Pas një roli të suksesshëm, çfarë është më e rrezikshme për një aktore, te mbetet e lidhur me personazhin apo të mbetet e lidhur me mënyrën se si publiku e ka parë atë?
Kujtime Ahmeti: Mendoj se më e rrezikshmja është të bëhesh peng i versionit që publiku ka dashur prej teje. Personazhi, sado i fortë të jetë, një ditë përfundon. Por duartrokitja mund të bëhet varësi.Dhe kur publiku të do për një mënyrë të caktuar, ekziston rreziku që të fillosh të përsëritësh veten vetëm që të mos e humbasësh atë dashuri.Unë nuk dua këtë.
Dua ta shqetësoj pak publikun. Dua ta bëj të pyesë: “A është vërtet ajo?”Nëse pas çdo roli publiku më njeh menjëherë, atëherë ndoshta nuk jam transformuar mjaftueshëm.Për mua, suksesi nuk është kur publiku thotë: “Kjo është Kujtimja.’’ Suksesi është kur thotë: “Nuk e prisja prej saj.”
Portalb.mk: Çfarë roli pret ende ta luash për t’i treguar publikut një anë të Kujtime Ahmetit që nuk e ka parë deri tani?
Kujtime Ahmeti: Të gjitha rolet e mia të deritanishme kanë qenë pasqyrë e përpjekjeve, forcës dhe dhimbjeve që kam mbajtur mbi supe në jetën reale. Por arti i vërtetë fillon aty ku mbaron biografia e aktorit. Unë jam ende në pritje të atij roli të madh që e tejkalon dhimbjen time personale. Një rol ku nuk i marr përgjigjet nga jeta ime, por duhet t’i zbuloj me mundin e pastër të imagjinatës dhe mjeshtërisë artistike. Dua t’i tregoj publikut se nuk jam thjesht një aktore që shpreh atë që ka përjetuar vetë, por një artiste që mund të marrë frymë, të vuajë dhe të ngrihet në skenë edhe përmes një bote me të cilën nuk ka asnjë lidhje personale.
