Kujdes, emaile mashtrues në emër të Bankës Komerciale në RMV, qytetarëve u kërkohen të dhënat personale

Është identifikuar një fushatë mashtruese përmes dërgimit të mesazheve në e-maile, ku si dërgues paraqitet në mënyrë të rreme Banka Komerciale. Në paraqitje të parë, emaili duket sikur është dërguar vërtetë prej bankës, por nëse shikon emailin, mund të kuptohet lehtë se janë emaile të krijuara posaçërisht për të mashtruar, raporton Portalb.mk.

Në mesazhe dërgohet një njoftim i rremë për mosfunksionimin e disa shërbimeve të llogarisë së pagesave, i cili përmban lidhje dhe kërkesë për përditësimin e të dhënave.

“Në përputhje me Rregulloren NBR 6/1005675, e cila ka të bëjë me njohjen e klientit dhe është pjesë e kushteve të përgjithshme të punës, të nënshkruara nga ana juaj në fillim të marrëdhënies me Komercijalna Bankën. Si rezultat i verifikimit të kryer, nuk kemi qenë në gjendje të konfirmojmë identitetin dhe të dhënat tuaja të kontaktit. Me hyrjen në fuqi më 25 nëntor 2026, me keqardhje ju njoftojmë se disa funksione të llogarisë suaj do të jenë përkohësisht të padisponueshme deri në përditësimin e të dhënave. Ju lutemi t’i përditësoni të dhënat brenda 48 orëve“, thuhet në njoftimin e rremë.

Për këto mashtrime ditë më parë paralajmëroi edhe banka në fjalë duke bërë thirrje që të tilla linqe të mos hapen dhe të mos jepen të dhëna personale.

“Apelojmë që të mos klikoni në lidhjet e dërguara, të mos vendosni të dhëna personale, emra përdoruesish dhe fjalëkalime, numra të kartelave të pagesave, PIN-e dhe të dhëna të tjera sensitive, në mënyrë që të mos ekspozoheni ndaj rrezikut të qasjes së paautorizuar në të dhënat sensitive dhe/ose instalimit të programeve keqdashëse në pajisjen tuaj. Nëse merrni një mesazh të tillë, fshijeni menjëherë!”, thuhet në njoftimin e Bankës.

Mashtrimet e tilla zakonisht mundësohen për shkak të zbatimit të pamjaftueshëm të mekanizmave të sigurisë në sistemet e postës elektronike te disa përdorues dhe organizata.

Brenda kompetencave të saj, Banka tha ndërmerr aktivitete dhe u bën thirrje ofruesve të shërbimeve të postës elektronike që të zbatojnë kontrolle për verifikimin e autenticitetit të mesazheve elektronike dhe të dërguesve të tyre.

Mashtrime të tilla janë shpeshtuar tepër kohëve të fundit. Edhe Ndërmarrja Publike “Parkingjet e Komunës Qendër” (PKQ) paralajmëroi se në publik po qarkullojnë mesazhe të rreme SMS, në të cilat dërguesit paraqiten në mënyrë të rreme në emër të ndërmarrjes dhe i njoftojnë qytetarët për një tarifë të pretenduar të papaguar të parkingut. Në mesazhe dërgohet edhe një link i dyshimtë për pagesë, ndërsa qytetarët paralajmërohen për gjoba të larta nëse nuk e shlyejnë detyrimin e pretenduar.