Kufizime në disa rrugë të Shkupit në orët e mbrëmjes

Në orët e pasdites në disa rrugë të Shkupit do të ketë kufizime të organizuara nga Policia e Maqedonisë së Veriut për shkak aktiviteteve partiake, transmeton Portalb.mk.

“Informojmë qytetarët e Shkupit se për shkak mbajtjes së tubimit sot në ora 20:30 në sheshin “Skënderbeu”, Njësia për siguri të komunikacionit rrugor do të marrë masa për regjim të posaçëm të komunikacionit në qendër të qytetit”, njoftoi Ministria për Punë të Brendshme.

Rrugët ku do të ketë lëvizje të pjesëmarrësve, do të jenë të bllokuara për vetura.

Ndryshe, koalicioni VLEN dhe kandidati për president, Arben Taravari, kanë paralajmëruar tubim partiak në sheshin “Skenderbeu” në Çair. Ky do të jetë tubimi përmbyllës për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen më 24 prill.

Gjatë heshtjes, në datat 23 dhe 24 prill (deri në orën 19:00) pushon mbulimi mediatik në lajmet dhe emisionet speciale informative të pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore si për zgjedhjet presidenciale ashtu edhe për ato parlamentare.