Ku na shpiejnë politikat e nënrrogozta?

Ndër shkaqet e vendnumërimit të Maqedonisë së Veriut në fushat më të rëndësishme të jetës është dhe mosgatishmëria e pushtetarëve dhe një pjese të inteligjencës së vendit për sendërtimin e një të ardhmeje ndryshe nga kjo e gjertanishmja.

Deri para do vitesh shumëkushi e kuptonte këtë mendësi, duke pasur parasyshë të dhënën se bashkëvendësit tanë, të mohuar nga të katër anët, hiq shqiptarët që ua pranojnë pa asnjë kusht: kombin, gjuhën, kulturën dhe kishën, jetojnë në ankthin e konsolidimit të identitetit nacional, ndaj përpiqen që t’i rrumbullakësojnë synimet e tyre.

Do t’i kuptonin edhe sot sikur gjatë këtij vrapi të hovshëm të ishin më të kujdesshëm dhe të mbanin llogari të mos i dëmtojnë të tjerët, veçanërisht shqiptarët, që, siç dihet, janë autoktonë në këto hapësira dhe popullojnë një pjesë goxha të madhe të Maqedonisë së Veriut. Do t’i kuptonin gjithsesi sikur të mos e huazonin nga politikat e dështuara të fqinjëve idenë e marrë për ndërtimin e shtetit njëetnik; sikur të mos e anashkalonin realitetin historik dhe aktual të përbërjes së popullatës së këtij vendi; sikur të mos bëheshin rob andrrallash nacionalromantike, që mund të realizohen vetëm nëse do të zhbëheshin dhe asimiloheshin gjithë ata që flasin të tjera gjuhë dhe i falen Zotit ndryshe nga ata; sikur të luftonin për shtetin e së drejtës që do të ndëshkonte ulërimat e “tifozëve” që na duan të djegur në komora gazi; sikur të ndërprisnin fyerjet institucionale nëpërmjet teksteve shkollore; sikur të disiplinonin krrokatjet e mizërisë së medieve të vërdhemëta që ua mbajnë krahun rrënuesve të ardhmërisë; sikur ta mendonin me mendje të esëllt e racionale se tendencat hegjemone të një etnie kundrejt etnive tjera përkeqësojnë pa ndonjë shkas serioz raportet ndëretnike të shtetit multietnik, multigjuhësor, multikulturor e multifetar, që nuk fiton asgjë nga përçarjet dhe nuk ka as interes as takat të imitojë regjimet despotike të shteteve gjigante me përvoja të hershme të mbizotërimit ndaj popujve të trajtuar si rajë, të cilët duhet t’i pranojë padrejtësitë dhe përçmimet si punë kësmeti.

Tendencat në fjalë përsëriten, shihen, e ndjehen mirëfilli sa herë që timoni i RMV fitohet me fushata zgjedhore nacionaliste dhe me premtime për zhvillim dhe mirëqenie vetëm për etninë e fituesve të pushtetit. Këto tendenca mbizotërimi të një etnie ndaj të tjerave kanë rritur drojën e njerëzve për një të ardhme më të mirë të shtetit, i cili është atdheu i gjithë banorëve të tij, që jetojnë dem baba dem në sinoret stërgjyshore. Së këndejmi, duhet ta kuptojë gjithsecili (para së gjithash ata që pandehin se janë politikanë) se shteti nuk mund të përparojë, nuk mund të demokratizohet dhe të qëndrojë në këmbë të shëndosha me politika të nënrrogozta, që thellojnë hullitë e përçarjeve ndëretnike dhe e shkatërrojnë atë përbrenda për interese meskine individësh e grupesh.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre