KSHZ, KSHPK dhe ESHR nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi në prag të zgjedhjeve lokale në RMV
Në prag të zgjedhjeve lokale, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) dhe Enti Shtetëror i Revizionir (ESHR) nënshkruan sot Memorandum Bashkëpunimi, transmeton Portalb.mk.
KSHZ tregoi se me këtë, të tre institucionet po forcojnë angazhimin e tyre për bashkëpunim të drejtpërdrejtë, koordinim dhe ndihmë të ndërsjellë në zbatimin e dispozitave për financimin e fushatës zgjedhore, shkëmbimin e informacionit dhe të dhënave, si dhe veprimin në kohë mbi parregullsitë e identifikuara.
Theks i veçantë, shtuan ata, i vihet transparencës në financimin e fushatës përmes shkëmbimit të raporteve financiare dhe aktiviteteve të përbashkëta për të promovuar pajtueshmërinë me rregulloret zgjedhore.
“Memorandumi gjithashtu parashikon bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e trajtimit të ankesave, kundërshtimeve dhe procedurave të tjera me interes të ndërsjellë, konsultimeve dhe shkëmbimit të përvojave, si dhe krijimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta”, thuhet në njoftimin e KSHZ-së.
Raundi i parë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 19 tetor, ndërsa raundi i dytë është planifikuar për 2 nëntor.