Të pavarurit në RMV mosbesues pavarësisht deklaratës së KSHZ-së se Komisioni nuk mund të parandalojë pjesëmarrjen në zgjedhje

“Qyteti i Gjelbër Human” (QGjH) është një nga organizatat që vazhdon procesin e mbledhjes së nënshkrimeve për të formuar një parti politike pavarësisht deklaratës së kryetarit të KSHZ-së, Boris Kondarko, se “sipas Kushtetutës dhe Ligjit, të gjithë kanë të drejtë të barabartë për të votuar dhe për t’u zgjedhur”. Gorjan Jovanovski i QGjH thotë se vetëm Parlamenti ka të drejtë për interpretim autentik, dhe jo KSHZ-ja. Ai frikësohet se janë të mundshme labirinte të reja, siç i quan ai, burokratike që do të synojnë të pengojnë listat e pavarura të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale, transmeton Portalb.mk.

“Deklarata e kryetarit të KSHZ-së na dekurajon sepse tani po luajnë me ne si me fëmijë të vegjël – sot dikush do ta interpretojë në një mënyrë, nesër dikush tjetër do ta interpretojë në një mënyrë tjetër dhe ne nuk e dimë se ku ndodhemi. Një muaj më parë patëm një takim me KSHZ-në në të cilin krytari i Komisionit na tha – të gjithë të pavarur, se nuk kanë të drejtë të interpretojnë ligjin dhe se do të presin një interpretim autentik të ligjit nga Parlamenti. Dhe tani, edhe pse nuk ka interpretim autentik nga Parlamenti, kryetari shfaqet me interpretimin e tij për atë që mund dhe nuk mund të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme. Ky është problemi i madh, institucionet në 12 pa 5 po krijojnë labirinte të reja burokratike në mënyrë që ne, si ‘Qyteti i Gjelbër Human’, dhe të pavarur të tjerë të mos mund të kandidojmë në këto zgjedhje lokale duke e ditur rrezikun që kanë nga ne”, tha Gorjan Jovanovski nga Qyteti i Gjelbër Human në një deklaratë për Telma.

Prandaj, thotë Jovanovski, ata po vazhdojnë me procesin e formimit të një partie në mënyrë që të mos gjenden në një situatë ku një rregull i ri do të shfaqet në minutën e fundit ose një ndryshim i ri në Kodin Zgjedhor do të votohet në mënyrë që ata të mos mund të marrin pjesë në zgjedhje.

KSHZ njoftoi zbatimin e drejtpërdrejtë të nenit 60

Dje, kreu i KSHZ-së deklaroi se Komisioni nuk mund t’ia privojë askujt të drejtën ligjore për të marrë pjesë në zgjedhje.

“Sipas Kushtetutës dhe Ligjit, të gjithë kanë të drejtë të barabartë për të votuar dhe për t’u zgjedhur. Pra, KSHZ-ja nuk ka të drejtë dhe nuk ia mohon askujt të drejtën ligjore për të marrë pjesë në zgjedhje. Neni 60 ekziston në Kodin Zgjedhor, është publik dhe i arritshëm për të gjithë. Pra, të gjithë – si partitë politike ashtu edhe koalicionet dhe grupet e votuesve, sipas nenit 60, kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje”, tha Kondarko.

Kondarko e bëri deklaratën duke shpjeguar një nga përfundimet e miratuara në seancën e KSHZ-së, e cila e bën të pavlefshëm Rregulloren e KSHZ-së për procedurën e mbledhjes së nënshkrimeve.

Pavlefshmëria e një rregulloreje të tillë, siç tha Kondarko, është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi nenet e Kodit Zgjedhor që rritën kuotat e nënshkrimeve të qytetarëve që kandidatët e pavarur për kryetar komune dhe listat e këshilltarëve duhej të mblidhnin për të marrë pjesë në zgjedhje.

“Në këtë rast, ky nuk është një vendim i KSHZ-së, por një zbatim i drejtpërdrejtë i ligjit. Udhëzimi është i pavlefshëm për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi nenet 61 dhe 62 të Kodit Zgjedhor mbi mbledhjen e nënshkrimeve, pra mbi përqindjen dhe numrin e nënshkrimeve të kërkuara për kandidim në lista”, deklaroi kryetari i KSHZ-së.

Neni 60, paragrafi 1 i Kodit Zgjedhor, të cilit Kondarko i referohet në deklaratën e tij, thotë:

“Partitë politike të regjistruara, koalicionet dhe grupet e votuesve kanë të drejtë të paraqesin listë kandidatësh për anëtarë të parlamentit, një listë kandidatësh për anëtarë të këshillit ose një listë kandidatësh për kryetar komune”.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi më 9 gusht i shpalli zgjedhjet lokale. Raundi i parë i votimit për kryetarë të komunave do të mbahet më 19 tetor, kur do të votohet edhe për lista të këshilltarëve. Raund të dytë për kryetarë të komunave do të ketë më 2 nëntor.