Kryevepra “Gratë e Puçinit” mbrëmë magjepsi publikun në hollin e Operës dhe Baletit

Para një numri të madh të artdashësve, mbrëmë u shfaq kryevepra me titull “Gratë e Puçinit” në hollin e Operës dhe Baletit Nacional në Shkup. Publiku shijoi interpretimet e disa prej arieve më të spikatura dhe më të njohura nga kompozitori i madh italian Xhakomo Puçini, njofton Portalb.mk.

Në gala manifestimin ekskluziv interpretuan solistët e operës Vesna Gjinovska Ilkova, Sandra Mitrovska, Pavlina Novakova Georgiev, Zllata Toshevska, Aleksandra Llazarevska Vasilevski, Katerina Stojanovska, Biljana Josifov dhe Ilina Mitrevska, të shoqëruar në piano nga Andrej Naunov, me regjisor Dejan Proshev.

Gjithashtu mbrëmë para publikut, u shfaq edhe ekspozita nga arkivi i Operës dhe Baletit Nacional me titull “Puçini nëpërmjet historisë së OBN”. Në këtë ekspozitë u paraqitën dokumente, fotografi dhe veshje të ndryshme të cilat e kishin zbukuruar hollin e OBN-së.

Pamje nga ngjarja, foto nga Portalb.mk
Pamje nga ngjarja, foto nga Portalb.mk

Ndërkaq më 23 nëntor me fillim nga ora 20:00 në OBN, do të shfaqet kryevepra e Xhakomo Puçinit, opera “Toska”, dramë muzikore në kuptimin e vërtetë të fjalës, monumentale, operë e orkestruar në mënyrë të shkëlqyeshme, realiste në tre akte. Dashuria, pasioni, xhelozia dhe intrigat politike janë elementet dramatike lëvizëse të këtij “trileri operistik”.

I ftuari nga Italia, Elio Orçuolo, do të dirigjojë shfaqjen e kësaj tragjedie dramatike të Puçinit, me regji të Ognjan Draganov nga Bullgaria, skenografia është e Zoran Nikollovskit, kurse kostumografia e Maria Pupuçevskës, mjeshtre e korit është Gjurgjica Dashiq dhe Jasmina Gjorgeska, kurse mjeshtër koncerti është Jane Bakevski.

E ftuara nga Serbia, Maria Jeliq, do të interpretojë në rolin kryesor, Dario Di Vietri nga Italia, do të interpretojë rolin e Kavaradosit, Marjan Jovanoski në rolin e Skarpias, në rolet e tjera marrin pjesë Borko Biovski, Dragan Ampov, Nikolla Stojçeski, Tihomir Jakimovski, Dimitar Kozhuharov, Desanka Gligorieviq, Marjan Stojanovski, të shoqëruar nga kori dhe orkestra e Operës dhe Baletit Nacional.

“Toska” është operë në tre akte nga Xhakomo Puçini. Është shkruar sipas libretit italian nga Luixhi Ilika dhe Xhuzepe Xhakoza. Libreti është bazuar në shfaqjen “Toska” të Viktorien Sardu. Premiera botërore e operës u mbajt më 14 janar 1900 në Romë, Itali.