Kryetari i Kuvendit të RMV-së Afrim Gashi takoi kongresmenët në ShBA

Në kuadër të aktiviteteve të delegacionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Samitin e NATO-s, në takimin me kongresmenët Pit Seshëns, Robert Aderholt, Xho Villon, Xhon Mulenar, si dhe me Xhejms Xhons, gjeneral në pension dhe ish-këshilltar për siguri kombëtare i Barak Obamas, mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, transmeton Portalb.mk.

Përmes një diskutimi, u ndanë mendimet e të dyja palëve për prioritetet e Maqedonisë së Veriut në arkitekturën botërore të sigurisë.

“Në të njëjtën kohë u theksuan marrëdhëniet e mira bilaterale të Republikës së Maqedonisë së Veriut me SHBA-në. U diskutua për mundësitë për investime kapitale ekonomike dhe u theksua përkushtimi i Qeverisë së re dhe të gjitha institucioneve shtetërore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si parakusht për zhvillimin e shtetit dhe të mirën e të gjithë qytetarëve të tij”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Kongresmenët shprehën mbështetje të fortë për vendin, në konteskt të aleancës në NATO dhe integrimit evropian të vendit.

Kujtojmë se nga sot deri të enjten në Uashington do të mbahet samiti i NATO-s me rastin e 75-vjetorit të formimit të aleancës ushtarake. Temat kryesore të samitit të NATO-s të këtij viti janë sigurimi i mbështetjes së besueshme dhe të qëndrueshme për Ukrainën, planet për të penguar anëtarët e Paktit dhe forcimi i industrisë dhe investimeve të mbrojtjes dhe forcimi i partneriteteve globale.