Kryesia e VLEN-it u plotësua me 10 emrat e ASH-së së udhëhequr nga Fetai, për ministër u propozua Aliu

Njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, sot përmes konferencës për media njoftoi se në procesin e formimit të partisë VLEN, janë pranuar dhjetë emra tjerë në kryesinë e partisë në formim VLEN, transmeton Portalb.mk.

“VLEN-i është i kompletuar. I urojmë mirëseardhje në vazhdimin e betejës Aleancës për Shqiptarët në krye me Arben Fetain. Sot kompletohet edhe kryesia e VLEN-it me dhjetë anëtarët që vijnë nga Aleanca për Shqiptarët”, deklaroi Mexhiti.

Mexhiti sqaroi që VLEN-i do të propozojë Azir Aliun për ministër të shëndetësisë, ndërsa për pozitat tjera do të jepen propozime më tutje. Arben Fetai paralajmëroi që nuk do të ketë ndryshim të kulaçit që i takojnë VLEN-it në Qeveri. Ai nuk anashkaloi edhe mundësinë për hyrjen e Ziadin Selës në Qeveri.

Në konferencën për media mori pjesë Bekim Qoku, Bilall Kasami, Izet Mexhiti, Arben Fetai dhe Zeqirija Ibrahimi.

Ndryshe, Arben Fetai, i cili së fundmi u shkarkua nga Aleanca e Taravarit, vazhdon të zhvillojë aktivitete brendapartiake në emrin e së njëjtës parti, dhe me funksionin e mëparshëm – kryetar i Kuvendit të ASh-së. Një grup i Aleancës që mbeti në Qeveri, me në krye Fetain, kanë themeluar dje (25 maj) një Këshilli Koordinues të përkohshëm, i cili siç thuhet “do të veprojë deri në qartësimin dhe stabilizimin e gjendjes aktuale në parti”.

Arben Taravari dhe Ziadin Sela hynë  në konflikt të hapur për koalicionin parazgjedhor me opozitën shqiptare në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit 2024, duke mundësuar funksionimin paralel të dy Aleancave.

Ndryshe, koalicioni VLEN përbëhej nga Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët (krahu i Arben Taravarit). Ky koalicion garoi bashkë edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në maj 2024, ku morën 14 deputetë dhe janë pjesë e Qeverisë.