Kryeqendra e botës

Konferenca e Këshillit Ministror të OSBE-së e cila e shndëroi Shkupin në kryeqendër të botës për këto dy ditë, është pa dyshim eventi më i rëndësishëm ndërkombëtar që po mbahet në shtetin tonë. Konsiderohet si ngjarje delikate për shkak të prezencës së Ministrit të punëve të jashtme të Rusisë, Lavrov, i cili po mer pjesë në këtë ngjarje, duke pasur parasysh ndalesën e udhëtimit që i ishte shqiptuar që nga fillimi i agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Vlen të theksohet se gjatë përgatitjes së kësaj vizite, edhe vetë institucionet e UE konstatuan që udhëtimi i Lavrovit në Shkup për të marë pjesë në këtë konferencë nuk do të konsiderohet shkelje e ndalesës së vendosur më parë. Qëllimi si duket ishte që Lavrov të ulet në tavolinën e OSBEsë, ku Rusia është njëri ndër shtetet themeluese të kësaj organizate, dhe të dëgjojë drejtpërdrejt qëndrimin e shteteve anëtare të kësaj organizate ndaj luftës që ajo e zhvillon në Ukrainë. Dhe qëndrimi i shteteve tjera ishte më se i qartë qartë, ku u shprehën dënime të ashpra për agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe për bllokimin e funksionimit të OSBEsë, mekanizma të rëndësishëm të së cilës nuk arrijnë të funksionojnë për shkak të rolit bllokues të Rusisë në këtë organizatë. Padyshim që kjo ngjarje do të analizohet thellësisht në shumë aspekte, dhe pa dyshim që do të ketë një rëndësi historike, për të cilën do të flitet edhe shumë vite më vonë në analet e diplomacisë.

Kur jemi tek roli i OSBEsë në zhvillimin e demokracisë në vendet anëtare, vlen të theksohet që në Maqedoninë e Veriut OSBE ka qenë gjithmonë mision shumë i rëndësishëm, duke përfshirë këtu trupat e ndryshme të kësaj organizate. Në veçanti vlen të theksohet kontributi i Komesarit të lartë të OSBEsë për pakica kombëtare, Max Van der Stoel me inicijativën e të cilit u krijua Universiteti i Evropës Juglindore si institucion shumë i rëndësishëm i arsimit të lartë që sot e kësaj dite shërben si shembull i funksionimit multilingual dhe multikulturor në rajon dhe më gjerë. Nga ana tjetër, zyra e OSBE-ODIHR rregullisht ka qenë e involvuar në monitorimin e proceseve zgjedhore në RMV, si dhe në procese tjera të ndryshimit të legjislativës me qëllim të përmirësimit të sundimit të së drejtës. OSBE disponon me mekanizma të ndryshme të cilat në mënyrë direkte kontribuojnë në përmirësimin e institucioneve shtetërore, në ngritjen e vetëdijes për çështje të rëndësisishme shoqërore dhe në rregullimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore në shtete dhe shoqëri të ndryshme. Kështu që është vërtet për të ardhur keq të mendosh se e gjithë kjo punë dhe të gjtiha këto mekanizma mund të bllokohen nga një shtet, pa arsye dhe pa bartur përgjegjësi.

Prandaj mendoj që ishte shumë me rëndësi që Lavrovi sot të dëgjojë ato që iu thanë. Si pasojë e veprimeve të tij dhe të qeverisë që ai përfaqëson, bota është në luftë gati dy vjet, dhe gjithçka është jashtë balansit, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në aspekt global. Organizatat ndërkombëtare duhet definitivisht të zhvillojnë mekanizma më të mirë për t’u mbrojtur nga sulme të tilla jodemokratike që e vendosin gjithë botën në disbalans. Duhet gjetur mënyra, të cilat nuk janë vetëm deklarative, për të pamundësuar sjelljen e paarsyeshme, kundërligjore dhe kundërnjerëzore të shteteve të cilat preferojnë të sillen si agresorë. Rregullart duhet të vlejnë njësoj për të gjithë dhe duhet bartur përgjegjësi për secilin veprim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.