Zgjedhjet vendore në Shqipëri do të mbahen më 9 maj
Presidenti Bajram Begaj, ka dekretuar datën 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme për organet e qeverisjes vendore në Shqipëri, transmeton Euronews.
Në njoftimin zyrtar, Presidenca bën me dije se vendimi është marrë pas konsultimeve me përfaqësues të forcave politike të përfaqësuara në Kuvend dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve.
Në konsultim morën pjesë Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, ndërsa subjektet e tjera politike nuk iu përgjigjën thirrjes së Presidentit.
Sipas Presidencës, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve propozoi 9 majin, duke argumentuar se caktimi i kësaj date do t’u jepte institucioneve më shumë kohë për përgatitjen dhe marrjen e masave zbatuese. Edhe Partia Socialdemokrate shprehu parapëlqimin për këtë datë.
Zgjedhjet lokale, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të zhvillohen në periudhën zgjedhore të pranverës, e cila përfshin katër të diela nga 15 prilli deri më 15 maj.
Në njoftim theksohet se data e përzgjedhur nuk lidhet me asnjë favorizim të palëve politike dhe nuk cenon vullnetin e lirë të zgjedhësve.