Kurti kërkoi takim me Hamzën e Abdixhikun për nënkryetarët e Kuvendit
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka njoftuar se i ka ftuar në takim kryetarët e PDK-së, Bedri Hamzën dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhikun që të arrijnë dakordim për përzgjedhjen e nënkryetarëve, raporton Koha.net.
Tutje ka bërë thirrje për qasje konstruktive në mënyrë që Kuvendi i Kosovës të konstituohet dhe të formohet sa më shpejt Qeveria e re.
Kurti ka thënë se pas konstituimit të Kuvendit duhet të procedohet edhe me zgjedhjen e presidentit, me qëllim që të shmangen zgjedhjet e reja.
“Që të përmbyllet me sukses të plotë, duhet të zgjidhen edhe nënkryetarët, e për këtë nevojitet dakordim. Unë tashmë jam në kontakt, përveçse me kryetarin e LDK-së, gjithashtu i kam shkruar edhe atij të PDK-së që të takohemi dhe në këtë mënyrë të kemi dakordim. Le të jemi pozitivë e konstruktivë. Meqenëse na nevojitet mbështetja e mazhorancës edhe për propozimet e tyre, le të jemi pozitivë e konstruktivë dhe në këtë mënyrë të kemi Kuvend të konstituuar, shpejt Qeveri të formuar dhe të kalojmë te zgjedhja e presidentit, që duhet të bëhet në mënyrë që t’i evitojmë zgjedhjet e reja”, ka deklaruar Kurti.
Duke folur për situatën rreth propozimit të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit, Kurti ka thënë se deklarata e përfaqësuesit të kësaj partie ishte, sipas tij, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me betimin e deputetit.
Ai ka theksuar se propozimi i dorëzuar me shkrim për Slavko Simiqin është në përputhje me Kushtetutën, ndërsa mënyra se si u deklarua në Kuvend ishte, sipas tij, “në shpërputhje flagrante”.
“Për mua ishte e çuditshme pse ai nuk e lexoi saktësisht siç e ka deponuar me shkrim propozimin për Slavko Simiqin. Pra, propozimin me shkrim që e ka bërë, kur ka kërkuar që nënkryetar i Kuvendit nga radhët e Listës Serbe të jetë Slavko Simiq, e ka shkruar në përputhje me Kushtetutën, por atë çfarë e deklaroi ai ishte në shpërputhje flagrante”, ka thënë Kurti.