Kryeministri Kovaçevski për vizitë zyrtare në Gjermani

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot është për vizitë zyrtare në Berlin, Republikën Federale të Gjermanisë, me ftesë të kancelarit gjerman Olaf Sholc. Në selinë e Republikës Federale të Gjermanisë, siç është paralajmëruar, është paraparë pritje zyrtare me nderime shtetërore, takim midis kryeministrit Kovaçevski dhe kancelarit Sholc, konferencë e përbashkët për shtyp e kryeministrave, si dhe takim bilateral pune dhe darkë e dy delegacioneve zyrtare, njofton Portalb.

Fokusi kryesor i bisedave, siç paralajmërojnë nga pres-shërbimi qeveritar, do të jenë marrëdhëniet dhe bashkëpunimi bilateral midis Maqedonisë së Veriut dhe Republikës Federale të Gjermanisë, të cilët sivjet shënojnë 30 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Siç potencojnë nga Qeveria, temë e bisedës do të jenë edhe mbështetja gjermane në rrugën euroatlantike, procesi reformues i orientuar drejt përmbushjes së standardeve të BE-së dhe çështje të tjera aktuale nga aspekti i sigurisë rajonale dhe evropiane.

Në përbërje të delegacionit të cilin e kryeson kryeministri Kovaçevski, janë edhe zëvendëskryetari i Qeverisë i angazhuar për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq, si dhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani.

Në kuadër të vizitës zyrtare, kryeministri Kovaçevski do të marrë pjesë në diskutimin e ekspertëve në organizim të Fondacionit Fridrih Ebert (Friedrich Ebert Stiftung) dhe do të ketë takim me përfaqësues të shoqatave të mërgimtarëve nga RMV-ja në Berlin, ndërsa do të ketë edhe takim pune edhe me drejtorin e përgjithshëm ekzekutiv të Dojçe Telekom, Timoteus Hotges.