Antenat me përforcues dhe Festivali i ëndrrave

Në Shqipërinë komuniste mund të hynin dhe dilnin lirshëm vetëm zogjtë. Nëse për botën demokratike ajo ishte një Tokë e Panjohur, për shqiptarët këndej kufirit ishte një Tokë e Premtuar. Shqiptarët këndej kufirit, që nuk e njihnin Shqipërinë reale, e kishin krijuar në ëndrrat e tyre Shqipërinë imagjinare. Ashtu siç e ëndërronin se ishte. Dhe ata i besonin ëndrrës. Ajo që i mungonte Shqipërisë reale, ishte në Shqipërinë imagjinare. Nëse Shqipëria reale vuante nën terrorin komunist, Shqipëria imagjinare lulëzonte në ëndrrat e shqiptarëve të këndejshëm.
Nga fundi i viteve 80-të, në disa vende të Tetovës, filloi të shihej Televizioni Shqiptar, që u bë si dritare për ta parë atë që ndodhte Atje. Shqipëria quhej Atje. Nga frika e ndonjë denoncimi.
TVSH shihej falë “antenave me përforcues”. Një shpikje e palicencuar. Askush nuk kishte ankesa për cilësinë e dobët të fotografisë dhe as për shfaqjen e shpeshtë të “mizave” në ekran. Por, nëpërmjet TVSH, shqiptarët e këndejshëm sërish e shihnin Shqipërinë imagjinare. Të lumtur, optimiste, heroike, punëtore, puritane, të pasur. Ashtu siç e paraqiste propaganda.

Për shumicën e shqiptarëve të këndejshëm, yje ishin aktorët shqiptarë. Festa e Pavarësisë pritej me padurim për ta (ri)parë filmin “Nëntori i Dytë”. Batuta filmash kishin hyrë në fjalorin e përditshëm. Nëpërmjet batutave e kuptoje se kush e shikonte TVSH dhe kush e adhuronte Shqipërinë imagjinare.

Një ngjarje tjetër, që pritej me padurim, ishte Festivali Folklorik i Gjirokastrës. Shumë këngë regjistroheshin me kasetofon dhe dëgjoheshin ilegalisht. Shumë njerëz ëndërronin të shkonin në Gjirokastër, jo vetëm për Festivalin, por rrallë kush besonte se një ditë, në këtë festival, do të shkëlqente një Ansambël nga Shkupi.

Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në RMV pati paraqitje dinjitoze në Festivalin e Gjirokastrës. U paraqit me përzgjedhje të mirë të këngëve dhe valleve nga këto treva. Veshjet kombëtare ishin të përpunuara bukur. Ishin mbresëlënëse këngët dyzërëshe, por edhe kënga polifonike. Në Maqedoninë e Veriut ka gegë dhe toskë. Ka pasuri të madhe folklorike.
Studiuesi Qiro Truhelka tha se kjo zonë ishte “zemra e Ballkanit” dhe “djepi i thesarit autokton folklorik”. Me këngët e kësaj zone u mahnit kroati Ivan Krajaçi, që tha se shqiptarët shquheshin për talentin muzikor. (“Ata krijojnë melodi tepër emocionale, që ndikon dukshëm te dëgjuesi”). Për muzikën shqiptare të këtyre trevave u tha se ishin në harmoni me natyrën dhe vinin si jehona kohërash të lashta. Holandezi Felix Rutten-i shkroi për adhurimin e shkupjanëve për muzikën dhe vallet. Muzikën shqiptare e pëlqeu edhe çeku Julius Komárek (1892 – 1955) dhe e quajti “muzikë sugjestive”. Shumë autorë thanë se shqiptarët punonin duke kënduar. Të tjerë e lidhën adhurimin për muzikën me dardanët, që njiheshin si adhurues të pijes, muzikës dhe valleve. Muzika shqiptare ndikoi edhe në folklorin e popujve ballkanikë.

Folklori i këtyre zonave është i bukur, por një pjesë e madhe e kësaj pasurie shpirtërore ka humbur përgjithmonë. Ky ansambël mund të luajë rol të madh në ruajtjen e këngëve të bukura shqipe. Ato mund edhe të përpunohen. Ka shumë këngë moderne me elemente nga folklori që janë kryevepra…

Folklori i josh edhe turistët. Festivali mund ta bëjë Gjirokastrën vend tërheqës për vizitorët e shumtë, veçanërisht gjatë ditëve kur aty jehojnë këngët nga trevat e ndryshme shqiptare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.