Kryeministri Kovaçevski nuk do të mbajë takim me kreun e diplomacisë ruse Llavrov

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski para fillimit të Këshillit Ministror të OSBE-së, deklaroi se nuk do të mbajë takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Llavrov. Ai theksoi se vendi në këtë mënyrë dërgon porosi për agresionin e padrejtë të Rusisë ndaj Ukrainës, njofton Portalb.mk.

Dita e parë e mbledhjes së Këshillit Ministror të OSBE-së në Shkup. Foto: Portalb.mk

Kovaçevski shpreson që në Këshilli Ministror të OSBE-së në Shkup të miratohen vendime të rëndësishme, dhe se do të zgjedhet udhëheqës i ri për vitin e ardhshëm.

“Disa e bëjnë me mospraninë e tyre, por disa me prani dhe qëndrime të deklaruara qartazi për agresionin rus. Njëjtë do ta bëj edhe unë me fjalimin tim”, tha Kovaçevski.

Derisa Llavrov injorohet nga autoritetet shtetërore të vendit dhe diplomatët perëndimor, kreu i diplomacisë Amerikane Antony Blinken, mbrëmë u prit nga kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Blinken u largua mbrëmë nga RMV për në Izrael dhe nuk u takua me Llavrovin.

Kreu i diplomacisë evropiane, Jozep Borrell, mbrëmë nga Shkupi tha se ardhja e ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov në takimin në Shkup është një mundësi e mirë që ai të dëgjohet pse Rusia është e dënuar dhe e izoluar dhe më pas të kthehet në Moskë dhe t’i thotë zotit të Kremlinit se Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja mbeten të bashkuar në dënimin e sjelljes agresive dhe të paligjshme të Rusisë.

“Unë e kuptoj që disa vende pjesëmarrëse nuk ishin të kënaqura me vendimin tuaj për të marrë pjesë ministrin Lavrov, e kuptoj sepse me luftën e paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës, ajo po minon vetë parimet e OSBE-së dhe po shkel ligjet dhe për këtë arsye po përballet me sanksione ndërkombëtare dhe izolim ndërkombëtar”, theksoi Borrel.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut është nikoqir i ngjarjes më të madhe politike-diplomatike që ka organizuar ndonjëherë që nga pavarësia e saj. Prej sot deri të premten mbahet takimi i 30-të ministror i OSBE-së, gjegjësisht në Shkup do të qëndrojnë për vizitë ministrat e Punëve të Jashtme të Organizatës së Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Evropë (OSBE).

Në këtë ngjarje po marrin pjesë rreth 1.000 delegatë me 76 delegacione nga 57 anëtare dhe shtete partnere të organizatës.

Në lidhje me zhvillimin e Samitit të Këshillit Ministror, lajmet më të fundit mund t’i ndiqni: KËTU.