Kryeministri i Portugalisë Kosta dha dorëheqje mes hetimeve për korrupsion të nivelit të lartë

Kryeministri socialist portugez Antonio Kosta dha dorëheqjen të martën (7 nëntor) pasi u njoftua se po hetohej për korrupsion lidhur me koncesionet e minierave dhe energjisë, pas bastisjeve në rezidencën e tij zyrtare dhe dy ministri, si dhe disa arrestime të profilit të lartë, transmeton Portalb.mk.

Hetimi kundër Kostës, i cili ka qenë kryeministër që nga nëntori 2015, fillimisht u njoftua nga media dhe më pas u konfirmua nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm.

“Gjatë hetimeve ka rezultuar se të dyshuarit kanë pasur dijeni për emrin dhe autoritetin e kryeministrit dhe ndërhyrjen e tij për zhbllokimin e procedurave. Referenca të tilla do të analizohen në mënyrë të pavarur në kuadër të një hetimi të hapur në Gjykatën e Lartë të Drejtësisë, pasi ajo është forumi kompetent”, thuhet në deklaratën e Prokurorit të Përgjithshëm.

Kosta tha se presidenti Marcelo Rebelo de Sousa kishte pranuar dorëheqjen e tij.

“Dua t’i them, sy më sy, popullit portugez se nuk jam fajtor për ndonjë keqbërje apo edhe për ndonjë akt të dënueshëm. Si gjithmonë, kam besim të plotë te drejtësia dhe mënyra se si funksionon ajo. Sistemit të drejtësisë që i kam shërbyer gjatë gjithë jetës sime dhe pavarësinë e të cilit e kam mbrojtur gjithmonë”, tha Kosta në një fjalim për shtypin.

“Megjithatë, kuptoj se dinjiteti i rolit të kryeministrit nuk përputhet me asnjë dyshim për integritetin apo sjelljen e tij të mirë dhe aq më pak me dyshimin se ai ka kryer ndonjë vepër penale. Ndaj në këto rrethana padyshim që i kam dorëzuar presidentit të Republikës dorëheqjen.

Kosta është konsideruar si një nga kandidatët kryesorë për të zëvendësuar Charles Michel si president i Këshillit Evropian pas zgjedhjeve evropiane të qershorit të ardhshëm. Posti zakonisht i jepet një kryeministri në detyrë nga një prej 27 shteteve anëtare.

Dorëheqja e Kostës mund ta zhysë Portugalinë në pasiguri politike: Presidenti Rebelo de Sousa duhet të vendosë nëse do t’i lejojë socialistët e Kostës të formojnë një kabinet të ri, ose të thërrasë zgjedhje të parakohshme. Ai pritet të komunikojë vendimin e tij pasi të ketë biseduar me të gjitha partitë politike këtë javë.

Policia kreu rreth 40 kontrolle të martën, duke përfshirë rezidencën zyrtare të kryeministrit, Pallatin São Bento dhe Ministritë e Infrastrukturës dhe Mjedisit dhe Veprimit Klimatik.

Hetimi i korrupsionit shqyrton koncesionet e kërkimit të litiumit në minierat Montalegre dhe Boticas, si dhe koncesionin për një projekt të një fabrike të prodhimit të energjisë së hidrogjenit të gjelbër në Sines.

Impianti i hidrogjenit konsiderohet një projekt me interes të përbashkët evropian, duke marrë fondet e BE-së.