Pas Australisë dhe Francës, edhe Portugalia drejt ndalimit të rrjeteve sociale për moshat nën 16-vjeç
Pas Australisë dhe Francës, edhe Portugalia do të ndalojë mediat sociale për adoleshentët nën 16 vjeç , sipas një projektligji të paraqitur në parlament të hënën, transmeton Euronews.
“Mosha për akses autonom në platformat, shërbimet, lojërat dhe aplikacionet e synuara nga ky ligj është vendosur në 16 vjet”, thekson teksti i paraqitur nga deputetët e partisë së krahut të djathtë në pushtet.
Ky ligj parashikon gjithashtu që adoleshentët e moshës 13 deri në 16 vjeç nuk do të jenë në gjendje të hyjnë në mediat sociale pa pëlqimin e prindërve të tyre dhe se këto platforma duhet të prezantojnë një sistem verifikimi të moshës dhe lejes prindërore të pajtueshëm me softuerin e përdorur nga administrata portugeze.
“Të dhënat e fundit shkencore kanë treguar se përdorimi i hershëm i këtyre aplikacioneve, para moshës 16 vjeç, mund të dëmtojë zhvillimin normal social dhe njohës të fëmijëve, pasi rezulton të jetë gjithnjë e më problematik dhe më i dëmshëm”, shënojnë deputetët që paraqitën këtë projektligj në një tekst hyrës.
Debati mbi moshën madhore dixhitale, domethënë përcaktimin e një moshe minimale për praninë dixhitale të fëmijëve, është përhapur në Evropë që kur Australia u bë vendi i parë në dhjetor që ndaloi mediat sociale për adoleshentët nën 16 vjeç.
Parlamenti francez javën e kaluar miratoi një projektligj që ndalon mediat sociale për të miturit nën 15 vjeç, një masë për të mbrojtur shëndetin e adoleshentëve, e cila mbështetet nga qeveria.
Së bashku me Francën, Danimarka, Greqia dhe Spanja mbështesin gjithashtu një ndalim në të gjithë Bashkimin Evropian.