Shkruan: Arbër Vllahiu
Vështrim librit: “NJË VIT JETË PA INSTITUCIONE”, Albinot Maloku, Sh.B. „Botime Koliqi“, Prishtinë, 2026
Është rasti më i bukur për një gazetar si unë që të shkruaj një fjalë për një vepër publicistike, meqë trajton saktësisht pjesën e punës që bëjmë ne çdo ditë. E bukur edhe për një arsye: se në kohën që po e jetojmë veprat e këtilla sikur janë bërë më të pakta dhe sikur letra me shkronjat na është zëvendësuar me tabletet, ekranet dhe me virtualitetin që deri në një masë ka shtrembëruar pak a shumë realitetin tonë. Kur u takuam me Albinotin, për të folur për veprën e tij, e di se e thash me gjysmë zëri, por me sinqeritet: e kam problem kohën. Jo pse isha tmerrësisht jashtë kohës, apo sepse kisha shumë punë sa mos ta lija anash një prej tyre, por sepse në mendjen time e konceptova se për një vepër të këtillë, që kërkon seriozitetin, më duhej pak më shumë kohë për ta përbirë edhe njëherë kohën nëpër të cilën kishim kalu dhe të cilën na e risjellë të shkruar Albinoti. I kisha hyrë në hak, jo qëllimshëm, jo pse nuk e vlerësoja mendimin e tij kritik dhe të saktë, analizën e tij të thellë për rrethanat e rrjedhat politike, njohurinë e tij për ecejaket politike në Kosovë e për Kosovën, por kishte shumë e shumë arsye të tjera jashtë konceptit profesional. Koha ishte ajo që më fuste frikën nëse do të mund ta përmblidhja me saktësi gjithë mendimin për një vepër që trajtonte një kohë, një periudhë, një copëz të historisë së vendit në rrethana e momente të vështira të tij. Dhe saktësisht koha ishte emëruesi i përbashkët i mendimit tim atë çast me konceptin e kësaj vepre që kemi sot përpara. Dhe është koha, pra dimensioni i katërt i teorisë së relativitetit të Ajnshtajnit e ndërthurrur me hapësirën, që ma zbuloi kjo vepër e Albinotit. Në një kohë, në një hapësirë kanë ndodhur kaq shumë gjëra që e përkufizojnë atë që Albinoti e ka quajtur “dimension politik i një kthese” në një kohë të caktuar që e determinon edhe funksionimin e një shoqërie dhe jo vetëm politikës ditore.
Nga aspekti gazetaresk publicistika e Albinotit sjell historinë e më shumë se një viti të humbur në Kosovë dhe rikthen edhe njëherë nga mbamendja një sintagmë të njohur prej vitesh si “shpresa politike” në Kosovë. Kjo vepër për gazetarët dhe jo vetëm, për të gjtihë ata që duan të rikujtojnë dhe kthejnë historinë në retrospektivë, do të ndihmojë ta kuptojnë se pse demokracitë ngecin, tjetërsohen, apo edhe në fund të fundit zhvillohen më ngadalë. Më e thjeshtë, Albinoti shënon me saktësi jo vetëm bëmat e një viti të plotë që është cilësuar I dështuar në Kosovë, por na kthen në zanafillën e tiij në nisjen e një qeverisjeje të re, të cilësuar ndryshe dhe të pritur me shumë entuziazëm. Demokracitë sfidohen gradualisht nga brenda dhe ajo që i bën të dështojnë kalon përmes një procesi të quajtur regres demokratik. Viti, apo vitet për të cilat flet Albinoti, nuk kapërthejnë këtë koncept të sfidimit nga brenda të demokracisë dhe rrjedhimisht nuk e përfshinë regresin demokratik por e përvijon si koncept ideologjik refuzimin e të së kaluarës me synimin e ndërtimit të një të nesërme ndryshe. Demokracia sipas Sokratit e Platonit mund të degradohej në demagogji dhe mund t’i hapte rrugën “kënaqësisë me emocionet në vend të së vërtetës”. Këtu fillon dhe shtjellohet e gjithë narativa në këtë vepër publicistike që sjell më saktësisht kronologjinë e ngjarjeve deri në një vit të tërë pa institucione të një shteti: “Periudha pas zgjedhjeve të 14 shkurtit të vitit 2021 në Kosovë, mund të kuptohet si fazë e dyfishtë; njëkohësisht moment shprese për transformim dhe një test i vështirë për pjekurinë institucionale dhe demokratike të vendit”… A.M.
Testin e pjekurisë institucionale dhe demokratike të vendit, Albinoti e nxjerr mjeshtërisht përmes kronologjisë së ngajrjeve pa e ngarkuar veprën e tij dhe duke i dhënë një drejtim përmes përshkrimit të gjendjes faktike në shoqëri. Zhvillimi i shoqërive dhe rënia e demokracive janë të ndërthurrura përmes themeleve shoqërore, forcës institucionale dhe sjelljes së aktorëve politikë. Kjo fazë e fundit e sjelljes së aktorëve politikë që Albinoti na e sjell në këtë veëpër të tij në mënyrë mjeshtërore ndërthurret me dialogun në nivele të ndryshme. Nëse koha ishte faktori kryesor që përkufizon veprën e që e bën të kapshme për secilin, dialogu në kohë i një shoqërie të re dhe të ndihmuar plotësisht nga Perëndimi, ndahet në dy pjesë: dialogun e brendshëm dhe të munguar që e degradon shoqërinë dhe dialogu në nivelet ndërkombëtare që sërish sjell një paqartësi për shoqërinë së cilës i është hequr mundësia për ta kuptuar filozofinë politike të atyre që kanë zgjedhur dhe që i udhëheqin.
Në dialogun e brendshëm të shoqërisë në Kosovë më bjen në mend një prej fjalimeve më të fuqishme të ish-presidentit të SHBA-së, Abraham Lincoln: “Një shtëpi e përçarë në vetvete nuk mund të qëndrojë”, sado që rrethanat e këtij fjalimi me ato të Kosovës së sotme janë të ndryshme. Por gjithsesi vetë diskursi publik mbi përçarjen brenda shtëpisë sjell në mëndje shoqërinë e Kosovës në një vit të institucioneve të munguara pas një dialogu të prishur. Realitetet e shoqërive ndryshojnë pas realiteteve që ato, pra vetë shoqëritë me tendenca demokratike krijojnë përmes një procesi zgjedhor, pra përmes votës.
“Në Kosovë, polarizimi politik ndërmjet partive dhe mungesa e kulturës së kompromisit, u shndërruan në praktikë të zakonshme. Diskursi publik, i dominuar nga retorika përjashtuese, thelloi ndarjet mes qytetarëve, duke lënë në harresë shumë nevoja më imediate, se sa dallimet dhe polarizimet e imponuara për arsye politike”. – A.M.
Paradoksalisht, Kosova që mbetet shembulli më i mirë i zgjedhjeve demokratike, kurdo e sa herë ato zhvillohen, rrotullohet në një vend që mirëkuptimin dhe bashkëpunimin partiak e kthen në grindje politike dhe e shndërron rivalitetin politikk në armiqësi politike. Albinoti e ka shtjelluar këtë fenomen brenda veprës së tij në mënyrë kronologjike dhe analitike. Por në një vend me traditë të shkurtër demokratike thënia më e mire do të ishte ajo e ish-presidentit amerikan John Kennedy. “Le të mos grindemi mes nesh kur në lojë është e ardhmja e popullit tonë. “Detyra jonë është ndaj popullit.”
Albinoti e ka gërshetuar fenomenin e mungesës së dialogut të brendshëm të politikës së Kosovës me diskursin publik e politik pas ndryshimeve të vitit 2021, me një dialog të imponuar dhe të stërlodhur e të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Një shoqëri si Kosova e lodhur nga lufta e vitit 1999, emocionalisht e ringritur më 2008 pas shpalljes së pavarësisë, ende në nisje të themeleve të një shoqërie me demokraci në zhvillim, e pamësuar me dialogun e brendshëm mes forcave politike, me ngritjen e zërave kundërshtues brenda saj, do të përballet me një fenomen të ri dhe atë me një dialog tjetër. Ky është dialogu me Serbinë, të cilit në secilën prej analizave posacërisht për mediat e rajonit dhe ato evropiane, Albinoti me kujdes të veçantë e analizë të thuktë i ka dhënë përgjigjen dhe e ka përmbledhur fort. Dialogu vetëvendosës shndërrohet në një dialog që nuk vendos për veten dhe që imponohet nga jashtë duke e ndryshuar edhe dinamikën e brendshme dhe mënyrën e veprimit politik. Megjithatë është e pakuptimtë për ne, pra për qytetarin e Kosovës, se si metamorfoza politike e Kosovës bëhet prodhim në vetvete dhe për vetveten dhe mjet për mbijetesë politike.
Viti i humbur i Kosovës që Albinot Maloku na e sjell në mënyrë kronologjike në publicistikën e tij, përvijon thellësisht realitetin dhe rrethanat e shoqërisë kosovare sot dhe perspektivën e saj në një të ardhme “paksa të paqartë”. Albinoti përveç një kronisti që përvijon në hollësi ngjarjet e “harruara” të një historie që vazhdon, me një mprehtësi dhe kthjelltësi sjell analiza dhe opinione për ecejaket politike në mediat e ndryshme vendore e ato të rajonit. Publicistika kronologjike e Albinotit dhe vështrimet mbi zhvillimet politike janë një rikujtues i përpiktë i historisë së trazuar dhe mbi të gjitha përkujtues në përpjekjet e përmbysjes së mbamendjes së qytetarëve.