Krerët politik në Maqedoninë e Veriut dërguan urime me rastin e Kurban Bajramit
Krerët politik në Maqedoninë e Veriut kanë uruar besimtarëve mysliman në vend festën e Kurban Bajramit. Mesazhi i përgjithshëm i tyre në këtë ditë festive është që të mbizotërojë solidariteti, toleranca, mirëkuptimi i ndërsjellë, bashkëjetesa dhe mirësia te të gjithë, mirëqenia ekonomike dhe ngrohtësia familjare le të sundojë në çdo shtëpi në këtë ditë të madhe, njofton Portalb.mk.
Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova ka uruar besimtarët muslimanë ditët e festës së urban Bajramit t’i kalojnë në shëndet të mirë, të mbushura me lumturi, gëzim dhe dashuri.
“Si festë dhurimi dhe ndihmesës, Kurban Bajrami nxjerr në pah fisnikërinë e njeriut, duke na motivuar të kujdesemi për të gjithë anëtarët e komunitetit. Si shoqëri, ne gjithmonë jemi dalluar për solidaritetin, unitetin, respektin dhe kujdesin, dhe duhet të vazhdojmë ta ruajmë dhe kultivojmë këtë. Ne jetojmë në kohëra komplekse dhe dinamike me ndryshime tektonike politike dhe ekonomike në nivel global, të cilat kërkojnë mençuri, bashkim, vullnet e këmbëngulje të fortë. Le të mbështetemi te njëri-tjetri, të zhvillojmë empati dhe solidaritet dhe të mbrojmë në thelb mirëqenien e të gjithë bashkëqytetarëve tanë dhe prosperitetin e atdheut!”, shkruan Siljanovska Davkova në urim.
Kryetari i Kuvendit, Arim Gashi në urim potencon se Festa e Kurban Bajramit, që në esencë e ka sakrificën për vlerat më sublime, na e kujton kështu edhe rëndësinë e solidaritetit, mirëkuptimit dhe dashurisë për njëri-tjetrin.
“Kjo ditë e shenjtë është një moment reflektimi për vlerat që na bashkojnë si shoqëri: përkujdesjen ndaj familjes, respektin për më të moshuarit, kujdesin për më të pambrojturit dhe forcimin e lidhjeve njerëzore që e mbajnë gjallë shpirtin e njerëzisë dhe shoqërisë sonë. Në emër të Kuvendit dhe në emrin tim personal, uroj që kjo festë të sjellë paqe në zemrat tuaja, gëzim në familjet tuaja dhe shpresë për përmbushjen e idealeve tuaj më të larta! Urime Bajramin e Vogël!”, shkruan Gashi në urim.
Kryeministri Hristijan Mickoski besimtarëve u ka dëshiruar që festën e Kurban Bajramin ta kalojnë në shëndet të mirë, paqe, mirëqenie dhe harmoni në zemrat dhe shtëpitë e tyre.
“Festa e Kurban Bajramit na kujton për vlerat dhe parimet e vërteta të jetës e ajo është që të bëjmë vepra të mira, të ndihmojmë dhe të jemi humanë, sepse humanizmi dhe solidariteti janë virtytet më të mëdha njerëzore. Bashkësia Islame dhe të gjithë besimtarët e saj janë pjesë e këtij shteti, prandaj është e domosdoshme të japim dorën dhe të respektojmë dallimet, sepse vetëm në këtë mënyrë do të ndërtojmë një shtet me qytetarë të lumtur dhe të kënaqur.
Përkushtimi ynë është që ta ndërtojmë shtetin në mirëkuptim të ndërsjellë, respekt, besim dhe tolerancë. Këtë do ta arrijmë vetëm nëse jemi të bashkuar”, thekson Mickoski në urimin deri te besimtarët.
Liderët e partive politike të Koalicionit “Vlen” Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Zeqirija Ibraimi në urimin e tyre përkujtojnë se kjo festë nuk është thjesht therje kurbani, por është gjak i bagëtive që bie për të kujtuar sakrificën, përkushtimin ndaj Zotit dhe kujdesin për njeriun.
“Është një thirrje e fuqishme për të mos harruar të varfrit, jetimët, të vetmuarit e të harruarit nga shoqëria. Bajrami është mundësi për të ndarë jo vetëm mishin, por edhe dashurinë, kujdesin, respektin. Në një shoqëri që shpesh nxit egoizmin dhe harresën për tjetrin, Kurban Bajrami na mëson se njeriu është mbi gjithçka. Dhe pikërisht këtë besim bartim edhe ne si VLEN, përkushtimin ndaj njeriut, pavarësisht prejardhjes, pozitës apo mundësive. Angazhimi ynë është që asnjë tryezë të mos mbetet bosh, asnjë zë të mos mbetet i padëgjuar dhe asnjë dorë e zgjatur të mos mbetet pa përgjigje. Këtë e kërkon feja, kjo është përgjegjësia jonë njerëzore, dhe ky është premtimi ynë politik”, thuhet në urimin e liderëve të “Vlen”-it.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka uruar besimtarët për mbizotërim të paqes, mëshirës dhe begatisë në familjet e tyre.
“Kjo ditë e shenjtë na kujton vlerat e sakrificës, solidaritetit dhe besimit të palëkundur, vlera këto që e kanë udhëhequr popullin tonë në çdo periudhë të historisë. Le të na shërbejë kjo festë si moment reflektimi, për të forcuar lidhjet tona shoqërore, për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe për të qëndruar gjithmonë pranë atyre që kanë më së shumti nevojë. Zoti ua pranoftë kurbanin dhe ua shpërbleftë veprat e mira! Gëzuar Kurban Bajramin!”, shkruan në urim Ahmeti.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka uruar që në këtë ditë të sakrificës dhe solidaritetit, të festojmë duke kujtuar se sa të vlefshëm e të dobishëm jemi për njëri-tjetrin dhe shoqërinë.
“Në këtë ditë të sakrificës dhe solidaritetit, dashurisë dhe humanizmit, të festojmë duke kujtuar se sa të vlefshëm e të dobishëm jemi për njëri-tjetrin dhe shoqërinë, sa të bukur mund ta bëjmë këtë jetë nëse një çast ndalemi për të uruar dhe dhuruar dashuri, e duke ndarë mirësi. Uroj nga zemra të keni shëndet, harmoni në familjet tuaja dhe çdo ditë e jetës tuaj qoftë po kaq e bukur sa kjo festë!”, thuhet në urimin e Selës.