Krerë të lartë në Shqipëri votuan në zgjedhjet parlamentare, u bënë thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë

Krerë të lartë në Shqipëri votuan në zgjedhjet parlamentare dhe u dërguan mesazhe qytetarëve që sot të dalin të votojnë, njofton Portalb.mk.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili ishte i shëqoruar nga Zonja e Parë Amanda Begaj, në prononcim për mediat u shpreh se qytetarët duhet të shprehin vullnetin e tyre pa presion.

Është një proces i qetë, proceset zgjedhore janë të rëndësishme për vendin, kjo ditë e sotme ka një rëndësi të veçantë, kemi hapur negociatat për anëtarësimin në BE, për herë të parë voton diaspora, qytetarët duhet të shprehin vullnetin e tyre pa presion, po kështu duhet të jetë edhe procesi i administrimit dhe numërimit”, tha Begaj.

Kryeparlamentarja e Shqipërise, Elisa Spiropali u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë në këto zgjedhje.

“Sot është dita e qytetarëve shqiptarë, sot është dita e kombit. I bëj thirrje të gjithëve të votojnë sot me qytetari ashtu si është zhvilluar edhe fushata zgjedhore, të tregojnë se jemi europianë në mendje zemër dhe në standarde”, tha Spiropali.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u ka bërë thirrje shqiptarëve për të votuar ditën e sotme. Në një postim në Facebook ai ka shkruar se sot shqiptarët kanë në dorë të ardhmen e tyre.

 “Mirëmëngjes😊 Sot është Dita e Shqipërisë🇦🇱 Shqiptarët kanë në dorë të ardhmen e tyre🦅 Votoni🗳️”, ka shkruar Rama.

Kreu i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha ka votuar së bashku me vajzën e tij të madhe.

“E kam këtë ftesë për brezin e ri, vajza ime e madhe voton për herë të parë, sot keni një të drejtë të çmuar, shkoni të votoni për vendin tuaj, besoni tek Shqipëria tek e ardhmja”, u shpreh Basha.

Edhe kryedemokrati Sali Berisha, i shoqëruar nga familjarët e tij, në deklaratë për mediat pas votimit u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë në zgjedhjet e sotme.

“Thirrje zemre, të votojnë të votojnë për veten e tyre, për fëmijët, pensionet dhe rrogat e tyre, punën, punësimin, biznesin fermën e tyre, të votojnë për të ardhmen. Do të kemi një ditë të dytë vere, thirrja ime votoni, votoni”, tha Berisha.
Kreu i PSD, Tom Doshi pas votimit në Tiranë është shprehur se rezultati për partinë që ai drejton do të jetë surprizë në këto zgjedhje.

“Kam shumë shpresë rezultati për partinë do të jetë një surprizë për gjithë Shqipërinë. Me zotin Berisha nuk bëj koalicion, me PS do të shikojmë si do të shkojë rezultati”, Doshi.

Qytetarët shqiptarë me të drejtë vote, sot (11 maj) do të zgjedhin përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë, në zgjedhjet e 11-ta parlamentare në vend që nga rënia e regjimit komunist në vitin 1991.