U mbyll edhe një cikël i jetës. Një muaj i plotë që duket se zgjati thuajse sa një ditë. Iku i bekuari, mbreti i muajve, Ramazani, mysafiri i zemrave të besimtarëve myslimanë, që lë ndikon edhe përtej këtij komuniteti. Sëra e ditëve për reflektim shpirtëror, lutje, vepra të mira dhe kalimin e kohës me familjen dhe miqtë. Edukatori i padukshëm që frymoi mes nesh përgjatë ditëve të veçanta, të numëruara, që kultivojnë, kulturizojnë, që e bëjnë njeriun, që e rikthejnë atë te vetja. Një ritëm specifik i jetës, revolucion njëmujor, ekzaktësi e paparë, me sekonda nis dhe përmbyllet agjërimi ditor, në minuta të caktuara fillon mbushja e tempujve me besimtarë dhe lutjet që zgjasin më shumë se ditët-netët jashtë këtij muaji. Precizitet dhe spiritualitet i koordinuar qiellërisht. Devocion, përgjërim dhe përkushtim. Një frymim tjetërfare i fizikusit dhe botës së interne të njeriut që parimisht duhet që me refleksionet e veta të bekimit hyjnor të vazhdojë të gjallnojë brenda njeriut edhe në njëmbëdhjetë muajt e tjerë. Eksra-temporalitet i thonë kësaj, kapërcim i kufijve kohorë të një muaji, transfertë e stilit dhe ritmit njëmujor edhe përtej ditëve të agjërimit, të shkëputjes nga e keqja dhe të bërit tok me të mirën, thelbësoren humane.
Se ç’vlerë sjell ky muaj mund ta ilustrojmë me një shënim tonin të para disa ditëve. Një iftar: si zakonisht patëm të thirrur familjarë. Shtëpia përplot, si në zgjua. Fëmijë, të rinj, të mezomoshës e pleq, puqje brezash. Burra e gra. Ezani. Çelje iftari me hurma, në sinkron. Ujë, bukë, kripë, gatime shtëpiake e muhabet. Çdo lugë, kafshatë, përtej darkës, sekuencë e një vakti të bekuar. Çdo aktor e detaj e stoliste shtëpinë me pamësi ezoterike, estetikë sui generis. Një klimë e papërshkruar. Nur në fytyrën e çdo pjesëmarrësi në këtë ritual-festival minimalisht gastronomik dhe maksimalisht metafizik, gosti transhendentale. Ëmbëlsirë e fjalë të ëmbla; axhele për të vajtur në xhami, itinerar thuajse i çdo shtëpie të besimtarit. Kumbimi i tekstit të shenjtë si zë dhe si ligjëratë që jep koordinatat për shoqërindërtim pozitiv. Balli në sexhde. Komunikim pa doreza me Krijuesin. Kthimi në shtëpi dhe seanca e kafesë, shija e së cilës i jep një shije të posaçme takimit farefisnor e miqësor. Ç’atmosferë! S’e nxënë shkronjat e as shprehjet letrare. Përjetohet, nuk përshkruhet.
Dhe nata e radhës, iftar vetëm me familjen e ngushtë. I them djalit: “E sheh me babin, çfarë dallimi? Mbrëmë dhe sonte!” Edhe shkallët, karriket e sixhadetë buzëqeshnin vallëzonin nën ritmin e hirit të kësaj aureole të mistershme. E gjithë vatra në trans. Tani kur s’i kemi të ftuarit e mbrëmshëm, sa e zymtë atmosfera. Çfarë ndryshimi. Shtëpia e njëjtë, ushqimet e pijet e njëjta, ama shija dhe shtimungu tjetërfare. “Mrekullia e ndarjes së të mirave me të tjerët”, “bereqeti i ushqimdhënies” duhet ta ketë emrin ky fenomen. Çfarë ndërhyrjeje në përditshmërinë tonë, ç’ndryshim radikal, ç’prishje e rutinës në favor dhe si favor për ne. Ç’bereqet! Ç’kurs shembullor i vetëpërndritjes. Sikur gjithë viti të ishte Ramazan, të kishim këtë disiplinë të kujdesit dhe vetëkontrollit në shumë aspekte fjalësore e sjellore. Kuptohet, pa shprehinë e re të gjumit – të disave – deri në drekë dhe të performancës së dobësuar në punë dhe në mësim. Zoti ka ditur se njeriu një muaj mund të ndjekë një ritëm të tillë, andaj e ka dalluar një muaj nga të tjerët dhe ka thënë që të mbyllet cikli me një iftar të fundit kur besimtari përshkohet edhe me mallëngjim, me dëshpërim për shkak të ndarjes, kur ndoshta edhe lotë rrjedhim mollëzave të tij në vigjile të një festë madhështore, të bajramit, që është kulmi i gëzimit dhe prehjes për atë që ka mbledhur frutat e momentumeve të dhuntive së pafundme, kur numrat e shpërblimeve janë vetëm simbolikë, kur ato relativizohen, kur absolutja mbizotëron aritmetikën e kufizuar.
Bajrami. Festë tjetërfare është kjo. Ndryshe nga ato ku madhërohet njeriu, simbole terrestriale, ku krenohemi me një diçka që ka mesazh dhe vlerë të kufizuar. Është kremte. Festë fetare. Dita e bajramit ngjall besimin në njerëzishmërinë, në solidaritetin, familjen, në bujarinë, fisnikërinë, në respektin, në buzëqeshjen, mirëbesimin, dashninë…
Ta përmbyllim këtë shkrim me fjalët e një teologu dhe dy poetëve që shpalosin mësimet filozofike, psikologjike, pedagogjike, sociologjike e etike të kësaj feste mahnitëse e mbresëlënëse:
“Bajramet, janë dhuratë hyjnore që na bashkojnë neve si pjesëtarë të fesë, të besimit të njëjtë, që na i integrojnë zemrat; ato e fuqizojnë vëllazërinë, i pajtojnë individët e hidhëruar mes vete. Bajramet janë skena të vërteta të pasqyrimit vëllazërisë besimore. Janë copëza të kohës sublime që çastin e shndërrojnë në kohë tjetër, botën në një botë tjetër, që bartin gëzim te zemrat e thyera, që falin sihariqe, që përhapin valë-valë erëra të entuziazmit dhe paqës.” (M. Görmez)
“Mjeshtër, çfarë të sjell për bajram?” – pyeta. “Zemrat e disa pleqve të mbetur, buzëqeshtjet e e disa kalamajve dhe, po pa te mundësi, lutjet e ca fukarenjve” – u përgjigj. (C. Zarifoğlu)
“Një ditë, kur gulçon, njeriu kupton se frymëmarrja është kremte!
Errësira na mëson: të parit, shkak për festim!
Vetmia kumton: festë është dashnia.
Çdo organ i shëndoshë, kremtim.
Çdo ditë e kaluar me të dashurit, bajrami im.” (C. Yücel)
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.