Kremlini e konfirmoi takimin Rusi-SHBA që do të mbahet nesër

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, njoftoi se një takim Rusi-SHBA do të zhvillohet nesër në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, raporton Agjencia Anadollu.

Duke folur në një konferencë për media në Moskë, Peskov deklaroi se delegacioni rus do të udhëhiqet nga ministri i Jashtëm Sergey Lavrov dhe ndihmësi i presidentit për punët e jashtme, Yury Ushakov.

“Sot, në emër të presidentit (Vladimir) Putin, ministri i Jashtëm Lavrov dhe ndihmësi i presidentit Ushakov po fluturojnë për në Riad. Ata pritet të takohen me homologët e tyre amerikanë të martën, ku diskutimet do të fokusohen kryesisht në rivendosjen e spektrit të plotë të marrëdhënieve ruso-amerikane”, tha Peskov.

Ai gjithashtu tha se bisedimet në takim do të fokusohen në marrëdhëniet dypalëshe Rusi-SHBA, përgatitjet për negociatat për gjetjen e zgjidhjes për Ukrainën, si dhe bisedimet për një takim të mundshëm midis liderëve të dy vendeve, Vladimir Putin dhe Donald Trump.

Arabia Saudite u zgjodh si vend, sepse është e pranueshme për të dyja palët, vuri në dukje Peskov, duke shtuar se është herët për pjesëmarrjen evropiane në bisedimet për gjetjen e zgjidhjes për Ukrainën.