Koxha u shpall nënkampione ballkanike në karate

Klubi i Karatesë “Dibra” nga Maqedonia e Veriut ka arritur të marrë një medalje të argjentë në garat ballkanike të organizuara në Kroaci, transmeton Portalb.mk.

“Një fundjavë e mbushur me emocione dhe rezultate të shkëlqyera për sportistet tona, që përfaqësuan me dinjitet Klubin e Karatesë Dibra dhe Maqedoninë e Veriut në Kampionatin Ballkanik në Rijekë”, njoftoi KK Dibra.

Trajneri Durim Paçuku theksoi rezultatin e garueses Era Koxha. Ajo arriti të fitojë në katër ndeshje, ndërsa në ndeshjen finale u mposht nga boshnjakja Sipovic Ajla. Koxha paraprakisht kishte fituar nga kroates Kresic Tea (8-1), Handzic Sama (5-1), malazeze Raonic Itana (5-1) dhe boshnjakes Topic Kala (7-1).