Kovaçevski – Zelenski: RMV mbetet në anën e duhur të historisë, mbështetja për Ukrainën vazhdon për aq kohë sa është e nevojshme

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski së bashku me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, kanë zhvilluar takim të përbashkët me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenski. Kryeministri Kovaçevski shoqërohej nga nënkryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për çështje ekonomike, koordinim me departamentet ekonomike dhe investimet, Fatmir Bytyqi, ndërsa takimi u mbajt në margjinat e Samitit të dytë të Komuniteti Politik Evropian në Kishinau, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri Kovaçevski theksoi mbështetjen e fortë që Maqedonia e Veriut i ka dhënë Ukrainës që nga fillimi i agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar.

“Maqedonia e Veriut dënoi agresionin brutal ushtarak që Rusia po kryen kundër Ukrainës së pavarur dhe sovrane. Ne mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe të drejtën e saj për të përcaktuar rrugën e saj. Kemi ofruar dhe do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje në çdo formë që Ukrainës i nevojitet”, theksoi ndër të tjera kryeministri Kovaçevski.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, falënderoi për mbështetjen që populli ukrainas merr nga Maqedonia e Veriut, ai vuri në dukje se ajo vjen në momente vendimtare.

Nuk bëtë kalkulime, ishit që nga dita e parë dhe populli ukrainas dhe ne e vlerësojmë këtë”.

Kryeministri Kovaçevski kujtoi se Maqedonia e Veriut është pjesë e grupit themelues për themelimin e Gjykatës Speciale Ndërkombëtare për krimet e agresionit, e cila na pozicionoi qartë këtë herë në anën e duhur të historisë. Ukraina është ndër prioritetet gjatë kryesimit të OSBE-së nga Maqedonia e Veriut, në të njëjtën kohë, Maqedonia e Veriut mbështet integrimin euro-atlantik të Ukrainës dhe përkushtimin ndaj politikës së dyerve të hapura të NATO-s.

Së fundmi, nga pala ukrainase ka arritur një kërkesë e re për ndihmë shtesë ushtarake, por është e klasifikuar nga ana e tyre dhe nuk mund të jepen më shumë detaje, njoftoi më 18 maj ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska.

“Javën e kaluar ka arritur kërkesë e re, kuptohet është e klasifikuar nga pala ukrainase, po shqyrtohet në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë, nëse mund të përgjigjemi dhe në çfarë mase. Nëse marrim opinion pozitiv, sigurisht që do ta informojmë opinionin përkatës nëse Qeveria merr vendim shtesë. Tani për momentin, siç e përmenda, është duke u bërë një analizë dhe sigurisht që jemi të hapur përderisa ka nevojë për mbështetje, që Republika e Maqedonisë së Veriut të japë mbështetje”, tha ministrja.

Petrovska përsëriti se kërkesa është e klasifikuar, duke theksuar se vendimet që janë marrë tashmë janë të deklasifikuara dhe të disponueshme për publikun.

“Ka më shumë kërkesa dhe siç thashë janë të klasifikuara dhe nuk do t’i ndaja me detaje. Atë që kemi dorëzuar deri tani dhe vendimet që kemi marrë deri tani, i kemi deklasifikuar tashmë siç i kam publikuar, mendoj se tashmë është publikuar në faqen e Ministrisë, ku vetëm kemi rezervuar të drejtën që të mos i përmendim, të mos i ndajmë sasitë, kjo për faktin se megjithatë është informacion operacional. Megjithatë, lloji, në kuptimin e asaj se çfarë lloj arme, armatimi kemi dhuruar tashmë është bërë i ditur”, shtoi Petrovska.

Deri më tani Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se Ukrainës i janë dhuruar tanke, pajisje ushtarake, si dhe 12 helikopterë Mi-24.