VMRO-DPMNE humbi bordet drejtuese dhe mbikëqyrëse në ndërmarrjet publike të Manastirit

Vazhdojnë zënkat politike në Këshillin e Komunës së Manastirit. Me votat e këshilltarëve nga LSDM, listës së pavarur “Poinaku” dhe Të së majtës, dje në orët e vona të mbrëmjes janë shkarkuar anëtarët e bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse të ndërmarrjeve publike të Manastirit “Ujësjellësi”, “Komunalec”, “Pazari”, “Parkingje” , “Zhabeni” dhe Qendra Kulturore dhe Informative, transmeton Portalb.mk.

Para votimit të këtyre pikave, këshilltarët e VMRO-DPMNE-së u larguan nga seanca komunale, duke theksuar se është shkelur Rregullorja e punës së këshillit dhe është shkelur Ligji për Ndërmarrjet Publike. Ndryshe, shumica paraprake në këshillin komunal të Manastirit që kishte emëruar bordet drejtuese dhe mbikëqyrëse ishte nga VMRO-DPMNE dhe lista e pavarur “Poinaku”.

Dega komunale e LSDM-së në Manastir sot ka falënderuar të gjitha grupet ke këshilltarëve që kanë përkrahur shkarkimin e anëtarëve të bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse të ndërmarrjeve publike të Manastirit, duke theksuar se ata punojnë në mënyrë jonikoqire ose në interes të VMRO-DPMNE-së.

“Fajtori më i madh për gjendjen në Manastir është pikërisht kryetari Toni Konjanovski, i cili prej muajsh hesht dhe nuk bën asgjë derisa para syve të tij po ndodh kolaps në Manastir. Konjanovski, gati dy vjet i mbron drejtorët që fitimet i shndërruan në humbje. Konjanovski zgjodhi që t’i shërbejë DPMNE-së dhe jo të punojë në interes të Manastirit”, thonë nga LSDM.

VMRO-DPMNE shpreson se kryetari i Komunës së Manastirit nuk do t’i nënshkruajë vendimet e Këshillit dhe se ato janë të pavlefshme.

Pas shkarkimit të anëtarëve të këshillit drejtues dhe mbikëqyrës, në seancën e radhës të këshillit komunal duhet të zgjidhen anëtarët e rinj që do të drejtojnë ndërmarrjet publike të Manastirit.

Kriza politike në Këshillin e Komunës së Manastirit po vazhdon prej disa javësh. Debatet mes kryetarit të Komunës së Manastirit Toni Konjanovski nga VMRO-DPMNE-ja dhe kryetares së këshillit komunal Gabriela Ilievska nga “Poinaku” vazhdojnë që nga ndërprerja e seancës së 26-të të këshillit, për të cilën duhej të intervenonte Inspektorati i Lartë Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale.

Edhe dje, kryetari Konjanovski e akuzoi Ilievskën se ka bërë gabim në mbajtjen e seancës së 26-të, kur në mënyrë të kundërligjshme e ka ndërprerë atë, duke shkaktuar krizë politike. Ai pretendon se Ilievska nuk e respekton vendimin e inspektorit të vetëqeverisjes lokale për ndërprerjen e kundërligjshme të seancës.

Ilievska, nga ana tjetër, ka akuzuar kryetarin se ka kërkuar nga këshilli komunal i Manastirit që të votojë për rritje të pagave prej 78 për qind për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.