Kovaçevski paralajmëroi dorëheqje nëse votohen ndryshimet kushtetuese

Ditën kur do të votohen ndryshimet kushtetuese do të jap dorëheqje dhe do të shkohet në zgjedhje. Kështu ka paralajmëruar sonte kryeministri i vendit – Dimitar Kovaçevski sonte në një paraqitje të televizionin Sitel, transmeton Portalb.mk.

“E kam thënë publikisht se ditën kur do t’i votojmë ndryshimet kushtetuese do të jap dorëheqje dhe do të shkojmë në zgjedhje”, tha Kovaçevski.

Në lidhje me miratimin e ndryshimeve kushtetuese ai tha se opsioni i dytë është nëse VMRO-DPMNE dëshiron të bëhet pjesë e Qeverisë, nismë kjo e diskutuar kohë më parë për zgjidhjen e ngërçit me ndryshimet kushtetuese.

Megjithatë, VMRODPMNE disa ditë me radhë përmes reagimeve dhe konferencave për shtyp rithekson se nuk do të përkrahin ndryshimet kushtetuese.

Përndryshe, me 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orësh. Votimi nuk dihet ende kur do të bëhet, kryetari i Kuvendit paralajmëroi se do të ketë njoftim shtesë për vazhdimin e seancës. Në seancën e djeshme me një pikë të rendit të ditës – Propozim për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila u votua me 70 vota pro dhe 47 kundër, fjalë patën vetëm pak deputetë, nga pushteti dhe opozita. Më pas pati përplasje mes partive pozitë – opozitë.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Ndryshimet në Kushtetutë nënkuptojnë shtimin e kombeve në Preambulë dhe në nenet 49 dhe 78 kur numërohen pjesët e kombeve në shtet, ku përveç maqedonasve, shqiptarëve, turqve, vllahëve, serbëve, romëve dhe të tjerë, do të shtohen bullgarët, kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen, mes tjerash edhe të bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Deri tani, Kuvendi nuk ka numrat për të bërë këto ndryshime pasi partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.