Kovaçevski: Nëse Maqedonia mbetet në dhomën pritëse të BE-së, rrezikon të gjendet në grup me Bosnjën dhe Kosovën

Ne bashkë me Kroacinë e filluam anëtarësimin në Bashkimin Evropian në vitin 2006, ajo sot është shtet anëtar i Unionit, ndërsa ne kemi ende politikanë që thonë se duhet pritur, transmeton Portalb.mk.

Me këtë konstatim, kryeministri Dimitar Kovaçevski në një intervistë për MIA-n nga Athina, të publikuar sot, i dërgoi mesazh opozitës, ndërsa në kuadër të ndryshimeve kushtetuese dhe rrugës së integrimit evropian të vendit, vazhdimi i të cilave varet nga miratimi në Kuvendin e Maqedonisë.

Kovaçevski, i cili po merr pjesë në takimin joformal me rastin e 20 vjetorit të Deklaratës së Selanikut nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor, i organizuar në Athinë nga homologu i tij grek Kyriakos Mitsotakis, thotë se në vendin tonë ka ende politikanë, siç ka pasur edhe në të kaluarën, të cilët nuk duan të merret një vendim i tillë dhe thonë se duhet pritur.

“Madje edhe kreu i opozitës do të deklarojë se është gati të presë 10 dhe 20 vjet të tjera. Konfirmimi më i mirë se si duket pritja dhe ulja në një dhomë pritjeje është pikërisht ky takim këtu. Takimi i Selanikut u zhvillua pikërisht 20 vjet më parë. Në të, pjesë e Ballkanit Perëndimor ishte edhe Kroacia. Sot Kroacia është anëtare e BE-së, anëtare e Shengenit dhe një vend ku euro është mjeti i pagesës, ndërsa ne kemi ende politikanë që thonë se duhet pritur. Përfaqësues të Maqedonisë këtu para 20 vitesh ishin Branko Cërvenkovski dhe tashmë e ndjera Ilinka Mitreva (si Ministre e Punëve të Jashtme) dhe ky është vendi më i mirë nga ku mund të dërgohet mesazhi se mosmarrja e vendimeve, mospasja e guximit dhe mospasja e vendosmërisë nuk e lëvizin vendin as një milimetër”, thotë kryeministri Kovaçevski.

Nëse nuk marrim vendime dhe kemi politikanë që thonë se duhet të presim, sipas Kovaçevskit, vendi rrezikon të ngecë prapa në procesin e integrimit evropian dhe të gjendet në shoqërinë e Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës.

“Do të ndodhë që Mali i Zi dhe Shqipëria të kalojnë para nesh dhe në fund do të mbetemi vetëm në shoqërinë e Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës. Maqedonia e Veriut nuk duhet të qëndrojë në shoqërinë e Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, këto janë vende që ende kanë probleme në përcaktimin e shteteve dhe fëmijët tanë nuk e meritojnë të jenë në atë shoqëri për sa i përket integrimit evropian. Prandaj na duhen vendimet tani, për hir të së ardhmes si të gjeneratave të tanishme ashtu edhe të atyre të ardhshme”, konsideron Kovaçevski.

I pyetur nëse ka plan “B”, pasi opozita qëndron me vendosmëri se nuk do të mbështesë amendamentet kushtetuese, Kovaçevski nuk dha një përgjigje precize. Në kuadër të pyetjes, ai iu referua përfitimeve nga anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO, duke kujtuar se edhe opozita ishte kundër vendimeve që u morën që vendi të anëtarësohej në aleancën e mbrojtjes.

“Ajo opozitë ishte edhe kundër vendimeve për anëtarësim në NATO dhe sot e shohim se sa të rëndësishme kanë qenë vendimet që janë marrë për anëtarësim në NATO. Falë atyre vendimeve, Maqedonia është anëtare e aleancës më të madhe ushtarake mbrojtëse në botë dhe kjo është veçanërisht e dukshme në kushtet kur ka luftë në Evropë. Ne pritëm njëmbëdhjetë vjet në vend që të zgjidhim mosmarrëveshjen me Greqinë, e shtymë dhe në fund u zgjidh me një zgjidhje më të keqe se sa mund të ishte një zgjidhje në 2008. Edhe tani nuk është ndryshe. Ne kemi një kornizë të qartë negociuese me një gjuhë të mbrojtur maqedonase, një identitet të mbrojtur maqedonas, me çështje dypalëshe përtej kritereve për anëtarësim në BE, shqyrtimi i shumicës së kapitujve tashmë është duke përfunduar, raportet tashmë janë duke u përgatitur dhe i takon lidershipit politik dhe të gjithë aktorëve të tjerë të shoqërisë të bëjnë reformat e nevojshme që do ta bëjnë vendin vendin më të mirë për të jetuar për qytetarët… dhe jo të blejnë pasaporta nga vendet e huaja dhe të shkojnë të punojnë në Gjermani, Itali, Francë vetëm sepse ato vende janë anëtare të Bashkimit Evropian”, thotë Kovaçevski në intervistën për MIA-n.

Më poshtë mund ta ndiqni të plotë intervistën e kryeministrit Dimitar Kovaçevski për MIA-n:

Nga Athina mesazhe rreth integrimit në BE ka përcjellur edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane – Bojan Mariçiq. Ai theksoi se rajoni po integrohet me shpejtësi në BE, ndërsa zgjedhja e ë vendit sëhtë të jemi pjesë e zgjerimit

“Mesazhi është i qartë, vendet nga Ballkani Perëndimor duhet të anëtarësohen sa më shpejt në Bashkimin Evropian. Si asnjëherë më parë, ka një moment dhe vendosmëri për një zgjerim të ri të Bashkimit Evropian. Të gjithë janë të vetëdijshëm se Bashkimi Evropian dhe as Evropa nuk mund të bashkohen pa u bërë çdo vend nga Ballkani Perëndimor anëtar i Bashkimit Evropian”, tha Mariçiq.

Negociatori kryesor me BE-në, Mariçiq, në deklaratën e tij thekson se “pritja është strategji që do të zbrazë vendin nga të rinjtë dhe do të vrasë shpresën, shpresën për një të ardhme më të mirë dhe evropiane” dhe për rrjedhojë, siç thotë ai, “ne nuk duhet të lejojmë dhe nuk duhet të shkojmë kundër vullnetit të shumicës së qytetarëve që Maqedonia e Veriut të bëhet sa më shpejt anëtare e Bashkimit Evropian”.

Edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes një postimi në profilin e saj në Twitter, ka shprehur sot shpresën se të gjitha partitë në Kuvendin e Maqedonisë do të mbështesin ndryshimet kushtetuese dhe rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.

Përndryshe, me 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet, kryetari i Kuvendit paralajmëroi se do të ketë njoftim shtesë për vazhdimin e seancës. Në seancën me një pikë të rendit të ditës – Propozim për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila u votua me 70 vota pro dhe 47 kundër, fjalë patën vetëm pak deputetë, nga pushteti dhe opozita. Më pas pati përplasje mes partive pozitë – opozitë.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Ndryshimet në Kushtetutë nënkuptojnë shtimin e kombeve në Preambulë dhe në nenet 49 dhe 78 kur numërohen pjesët e kombeve në shtet, ku përveç maqedonasve, shqiptarëve, turqve, vllahëve, serbëve, romëve dhe të tjerë, do të shtohen bullgarët, kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen, mes tjerash edhe të bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Deri tani, Kuvendi nuk ka numrat për të bërë këto ndryshime pasi partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.