Për një të tretën janë zvogëluar prokurimet publike të komunave, në Shkup deri në 68 përqind

Është ulur për një të tretën vlera e prokurimit publik të komunave dhe qytetit të Shkupit në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021, thuhet në analizën e Qendrës për komunikime civile për bazën e të dhënave të tenderëve komunalë vitin e kaluar, transmeton Portalb.mk.

Sipas të dhënave, 80 komuna dhe Qyteti i Shkupit në vitin 2022 kanë lidhur gjithsej 3.508 kontrata për prokurim publik në vlerë prej 7,3 miliardë denarë, gjegjësisht 118 milionë euro, që është shumë më e vogël në krahasim me vitin 2021.

Në rënie më së shumti kontribuon rënia e madhe e vlerës së prokurimeve publike të Qytetit të Shkupit, prokurimet e të cilit në vitin 2022 janë ulur për 68%, përkatësisht për 31 milionë euro në krahasim me vitin 2021.

“Rënia e vlerës së blerjeve publike nënkupton që një pjesë më e vogël e parave të buxhetit investohen në mallra, mallra, të mira dhe shërbime që mund të kontribuojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve”, thonë nga Qendra për Komunikime Civile.

Baza e të dhënave tregon se komunat dhe Qyteti i Shkupit kanë lidhur kontrata me 1184 kompani, por një e katërta e vlerës së përgjithshme të tenderëve i ka takuar vetëm 8 kompanive. Në krye sipas vlerës totale të kontratave është furnizuesi me energji elektrike “Energy Delivery Solutions”, me vlerë të kontratës prej 614 milionë denarë, përkatësisht rreth 10 milionë euro.

Baza e të dhënave është interaktive dhe mundëson kërkimin e tenderëve sipas komunave dhe kompanive, dhe ofron një pasqyrë grafike të pjesëmarrjes së kompanive në prokurimin e secilës komunë veç e veç. Baza e të dhënave përmban edhe të dhëna për pjesën e prokurimeve në buxhetet komunale, si dhe për vlerën e blerjeve për banor. Baza e të dhënave për prokurimin publik të komunave është përgatitur për tetë vitet e fundit (2015-2022).