Kosova votoi për zgjedhjet lokale, dalja ishte 39%
Procesi i votimit në Kosovë përfundoi në orën 19:00 në të gjitha vendvotimet e Republikës së Kosovës. Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së të pranuara nga rreth 95% e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që votuan deri në orën 19:00 është 791.123 votues, apo 39.07% nga gjithsej 2.025.105 votues me të drejtë vote, transmeton Portalb.mk.
Në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë dalë edhe rezultatet e para.
Të drejtë vote kishin2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.
Për zgjedhjet lokale ishin certifikuar 5.626 kandidatë, përfshirë 206 kandidatë për kryetarë komunash dhe të tjerët për ulëse në kuvendet komunale.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në garë ishin 93 subjekte politike, ndër to 32 parti, 32 iniciativa qytetare, 2 koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.
Votuesit duhet të plotësojnë dy fletëvotime në kabinën e votimit: një për kryetarin e komunës dhe një tjetër për kandidatin për kuvendin komunal, duke shënuar numrin e kandidatit dhe subjektin politik me të cilin ai garon.
Për zgjedhjet lokale, Prokuroria e Shtetit tha se ka angazhuar rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë prokurorialë për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
Në një njoftim nga Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës bëhet e ditur se prokurorët janë në zyrat e prokurorive ose stacionet policore, duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës për të parandaluar çdo parregullsi.