Kosova pas zgjedhjeve: fitorja, bllokada politike dhe sfida e demokracisë

Shkruan: Zilal Shabani

Zgjedhjet e fundit parlamentare, roli i diasporës dhe mungesa e konsensusit politik kanë prodhuar një krizë institucionale në Kosovë, duke nxjerrë në pah nevojën për dialog, përgjegjësi politike dhe stabilitet demokratik.

Opinion

Më 14 shkurt 2025 u mbajtën zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet, por me një rënie të ndjeshme të numrit të ulëseve në Kuvend. Ky rezultat e vështirësoi formimin e institucioneve të reja dhe hapi një kapitull të ri tensioni politik në vend.

Pas zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, përpjekjet për zgjedhjen e saj u zvarritën për një periudhë të gjatë kohore. Ajo u propozua dhjetëra herë, pa arritur të sigurojë shumicën e nevojshme parlamentare. Arsyeja kryesore ishte mungesa e numrave të mjaftueshëm për krijimin e institucioneve dhe formimin e qeverisë.

Zhvillimet politike pas zgjedhjeve

Pas kësaj bllokade, skena politike në Kosovë u karakterizua nga tensione të vazhdueshme dhe manovra politike, të cilat krijuan paqartësi dhe mosbesim te qytetarët. Pas një zvarritjeje institucionale që zgjati rreth një vit, presidentja, e detyruar nga Kushtetuta, shpalli zgjedhje të parakohshme. Data e tyre u caktua për 28 dhjetor 2025.

Kjo datë u perceptua nga një pjesë e opinionit publik si problematike, pasi fundviti zakonisht shoqërohet me më pak vëzhgues ndërkombëtarë dhe me rrezik për transparencë më të ulët të procesit zgjedhor. Në këtë kontekst u vu re edhe një angazhim i shtuar i diasporës shqiptare, veçanërisht në shtete si Zvicra.

Qysh para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore, u organizuan tubime në mbështetje të Albin Kurtit. Pjesëmarrja e figurave publike dhe artistëve në këto aktivitete i dha fushatës një dimension emocional dhe simbolik, veçanërisht për diasporën, e cila historikisht është e ndjeshme ndaj diskurseve patriotike. Këto aktivitete, të zhvilluara para afateve ligjore të fushatës, ngritën pikëpyetje mbi barazinë e garës politike.

Lëvizja Vetëvendosje publikoi pamje nga takimet me mërgatën, ndërsa vetë Albin Kurti zhvilloi tubime elektorale në diasporë, përfshirë edhe në Cyrih. Kjo strategji i shkoi për shtat politikisht, ndonëse bie në kontrast me qëndrimet e tij të mëhershme kundër glorifikimit të luftës së armatosur.

Roli i diasporës dhe rezultati zgjedhor

Sipas vlerësimeve, diaspora luajti një rol të rëndësishëm në rezultatin zgjedhor. Rreth 200 mijë votues nga mërgata i dhanë votën Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithatë, edhe pas fitores në zgjedhjet e 28 dhjetorit, nuk u vu re një përpjekje serioze për ndërtimin e një konsensusi politik me partitë opozitare.

Në momentet kyçe, as roli i presidentes nuk u shqua për ndërmjetësim apo përpjekje konkrete për afrimin e pozitës me opozitën. Përkundrazi, ajo shpalli kandidaturën për një mandat të dytë si presidente dhe përdori një gjuhë që u perceptua nga shumë qytetarë si presion politik. Kjo qasje kontribuoi në rritjen e polarizimit dhe në dobësimin e besimit institucional.

Polarizimi dhe gjuha politike

Sipas mendimit tim, prioriteti kryesor në këtë fazë duhet të ishte zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe formimi sa më i shpejtë i qeverisë. Por po ndodh e kundërta. Albin Kurti ka deklaruar se ekziston mundësia që Albulena Haxhiu të jetë sërish kandidate për kryetare të Kuvendit, ndërsa vetë Haxhiu ka paralajmëruar se disa deputetë nga opozita pritet t’i bashkohen Vetëvendosjes.

Këto deklarata e thellojnë më tej ndarjen politike. Diskursi publik është bërë gjithnjë e më i ashpër, me tone përjashtuese dhe akuza të ndërsjella. Nganjëherë duket se gjuha politike është e mbushur me më shumë helm sesa argumente, duke dëmtuar seriozisht kulturën demokratike dhe dialogun institucional.

Më shqetëson fakti se një pjesë e shoqërisë përpiqet ta paraqesë fitoren e Vetëvendosjes si një burim absolut krenarie, duke i etiketuar ata që nuk e kanë votuar Albin Kurtin si anti-shqiptarë apo të paaftë.

Demokracia, vota dhe përgjegjësia

Votimi është i lirë. Secili qytetar ka të drejtë ta japë votën sipas bindjes së vet, ashtu siç përcaktohet edhe në Kushtetutë, pa presion dhe pa linçim publik. Nga kjo perspektivë, ekziston rreziku që shqiptarët, në mënyrë të pavetëdijshme, të krijojnë liderë politikë të pazëvendësueshëm.

Kjo dukuri nuk është e panjohur në histori. Modele të udhëheqjes së përqendruar te individi janë parë në sisteme të ndryshme politike, ku pushteti është zgjatur përmes ndryshimeve kushtetuese dhe kultit të individit. Nëse shoqëritë vazhdojnë t’i adhurojnë individët në vend të institucioneve, atëherë demokracia dobësohet.

Demokracia kërkon mendim kritik, dialog dhe aftësinë për të vepruar me logjikë, jo me emocione dhe inat — për të cilin, fatkeqësisht, Ballkani duket se ka një traditë të gjatë.

Përfundim

Të fitosh zgjedhjet është aftësi dhe kjo meritë nuk duhet mohuar. Por fitues i vërtetë është ai që di të bashkojë, të ndërtojë ura bashkëpunimi dhe të ecë përpara së bashku me opozitën. Kosova ka nevojë për një qeveri që mendon për të ardhmen e shtetit, për qytetarët dhe për fëmijët e tyre.

Duhet të ndërpritet zinxhiri i migrimit, të krijohen vende pune dhe të ndërtohet shpresë që të rinjtë ta shohin të ardhmen në vendlindje.

Boll më me emigrim. Këtë realitet e përjetoj edhe vetë dhe e di sa e rëndë është.