Korrupsioni dhe të drejtat e njeriut: Çmimi i fshehur i pandëshkueshmërisë

Asociacioni i parë për korrupsionin rrallë herë lidhet me gëzimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Korrupsioni kryesisht perceptohet si një problem ekonomik ose politik që i gërryen institucionet, moralin publik dhe që e minon etikën profesionale. Por, pas çdo rasti të korrupsionin qëndron një shkelje e të drejtës së dikujt – qoftë kjo e drejta për jetë, shëndet, drejtësi, barazi, privatësi apo dinjitet. Kështu, korrupsioni nuk është vetëm abuzimi i detyrës publike për përfitime private, por është gjithashtu një kërcënim i drejtpërdrejtë për të drejtat e njeriut.

Shkruan për EPI-n: Lençe Ristoska, prokurore 

Ndryshe nga format e tjera të krimit që kanë një viktimë konkrete dhe një efekt të identifikuar, natyra e korrupsionit është sistemike dhe difuzive: në vend që të targetojë individualisht, ai njëkohësisht i shkel të drejtat e një numri të pacaktuar njerëzish, duke krijuar kështu një padrejtësi të gjerë dhe të heshtur. Për këtë arsye çështjen e korrupsionit nuk duhet ta shohim vetëm si një çështje krimi që duhet zhdukur, si një statistikë në punën e gjyqësorit, por si një çështje të të drejtave të njeriut që ndikon në sigurinë e qytetarëve dhe besimin e tyre në institucionet e sistemit.

Roli i prokurorit publik në luftën kundër korrupsionit përmes prizmit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut

Roli i prokurorit publik në luftën kundër korrupsionit është i dyfishtë.

Prokurorët publikë janë përgjegjës më direkt për hetim të plotë, rrënjësor dhe efikas të të gjitha dyshimeve për krime korruptive dhe motive korruptive që kanë çuar në shkeljen e të drejtave të individëve. Ligji për Procedurë Penale e pozicionon qartë prokurorin si udhëheqës të procedurës parahetimore dhe hetimore, duke e theksuar nevojën për veprim proaktiv edhe kur organet e ndjekjes dështojnë në funksionin e tyre të zbulimit të autorëve të veprave penale.

Kur bëhet fjalë për rastet e veprave penale korruptive vihet re një aktivitet më i madh i organeve të ndjekjes në përndjekjen e përfaqësuesve të garniturës qeveritare paraprake, e jo të anëtarëve të qeverisë aktuale. Funksionimi i qendrave hetimore në kuadër të prokurorisë në kombinim me rolin udhëheqës të prokurorit publik në procedurat penale, duhet të veprojë si një kundërpeshë ndaj pasivitetit të organeve të ndjekjes në zbulimin e rasteve aktuale të korrupsionit dhe në zbardhjen e motiveve të mundshme korruptive të bartësve aktualë të funksioneve publike që kanë çuar në shkeljen e të drejtave të qytetarëve.

Sipas praktikës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, pasi të jetë konstatuar shkelje e një të drejte shteti ka detyrim ligjor që të zbatojë një hetim të plotë, efektiv dhe të pavarur – ose detyrim për kontroll institucional, në kuadër të të cilit do të shqyrtohen të gjitha rrethanat që kanë çuar në shkeljen e një të drejte të caktuar. Edhe pse në praktikën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut nuk ka ndonjë rast konkret ku është theksuar se hetimi është dashur t’i hetojë në veçanti aspektet korruptive që kanë çuar në shkeljen e të drejtave të individëve, prapëseprapë në mënyrë indirekte mund të konkludohet se detyrimi për një shqyrtim institucional të të gjitha rrethanave që çuan në shkeljen e të drejtave të individëve do të nënkuptojë gjithashtu një detyrim për një hetim të plotë të aspekteve korruptive që ndikuan në realizimin e të drejtave të individëve.

Kohëve të fundit nuk mbahet mend të ketë pasur protesta qytetare në të cilat nuk është vënë re slogani “Korrupsioni vret”: duke filluar që nga protestat kundër ndotjes, pastaj në protestat pas zbulimit të abuzimeve në klinikën e onkologjisë, protestat për viktimat e fatkeqësisë në Llaskarcë, e deri tek protestat për zjarrin në spitalin modular në Tetovë dhe zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan. Në të gjitha këto protesta korrupsioni theksohet si fajtori kryesor për jetët e humbura, kështu që gishti drejtohet nga gjyqësori, i cili pritet të japë verdiktin përfundimtar: a ka shkaktuar korrupsioni shkeljen e të drejtës për të jetuar dhe a po e paguajmë ne çmimin e korrupsionit edhe me viktima njerëzore?

Aspekti i dytë që është i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit është qëndrimi personal i prokurorit publik ndaj korrupsionit dhe kontributi që secili prokuror publik duhet ta ketë në uljen e nivelit të pranueshmërisë së korrupsionit në shoqëri. Ky aspekt lidhet më drejtpërdrejt me realizimin e të drejtës për një gjykim të drejtë dhe qasje në drejtësi për qytetarët. Kur në kuadër të procedurave vendimtar është ndikimi, ryshfeti ose përkatësia partiake ose afariste dhe jo provat dhe ligji, stimulohet një kulturë e selektivitetit dhe pandëshkueshmërisë.

Edhe pse bartësit e funksioneve publike në gjyqësor, gjykatësit dhe prokurorët publikë, me zgjedhjen e profesionit të tyre kanë zgjedhur që të jenë në shërbim të interesit publik dhe t’i lënë interesat e tyre personale në plan të dytë, në praktikë kemi qenë dëshmitarë edhe të rasteve të kundërta. Një numër i madh i rasteve të korrupsionit të profilit të lartë nuk arritën kurrë një zgjidhje gjyqësore, ndërsa gjykatësit që udhëhiqnin lëndë të këtilla përfunduan në Listën e zezë të SHBA-ve , por edhe u shkarkuan, gjykatës dhe prokurorë publikë të tjerë u dënuan për marrje të ryshfetit ose për ushtrim të ndikimit, ndërsa kishte edhe shkarkime të gjykatësve dhe procedura disciplinore për prokurorë publikë për abuzime që ata i kishin kryer gjatë punës në raste të profilit të lartë. Në këto raste diskutabile është nëse gjykatësit dhe prokurorët publikë në veprimet e tyre ishin të udhëhequr nga interesi publik, kështu që qasja që ata e kanë zbatuar ngre dilema për një garanci dhe gëzim real të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe qasje në drejtësi për qytetarët.

Përveç kësaj, nëse merret parasysh se korrupsioni i favorizon dhe i mbron “të vetët” – njerëz që janë të lidhur dhe veprojnë në bazë të lidhjeve afariste ose politike, pushtetit ose parave, ndërsa i margjinalizon të tjerët, është e qartë se korrupsioni është një krijues i drejtpërdrejtë i praktikave diskriminuese. Në vendin tonë i njohur është fenomeni i përzgjedhjes së gjykatësve dhe prokurorëve publikë nga tefterët dhe listat politike, të cilët pastaj pritet që të shpagohen për zgjedhjen e tyre dhe mbrohen nga strukturat politike përmes listave të të cilave janë përzgjedhur ose ngritur në detyrë. Nga ana tjetër, për profesionistët që e luftojnë korrupsionin janë rezervuar praktika dhe pasoja diskriminatore duke filluar nga mobingu, pengesat në avancimin në karrierë, e deri tek shkarkimi i tyre.

Këto praktika diskriminuese në rastet e korrupsionit kanë një rol të dyfishtë: t’i dekurajojnë individët në luftën kundër korrupsionit dhe t’u dërgojnë një mesazh profesionistëve dhe publikut të gjerë se për sistemin janë të pranueshëm vetëm ata që i përshtaten pritshmërive të qendrave të pushtetit. Në këtë drejtim Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në praktikën e saj flet për të ashtuquajturin еfekt të frikësimit (chilling effect) të veprimeve të drejtuara kundër bartësve të funksioneve publike në gjyqësor të cilët janë të zëshëm në shprehjen e mendimit personal, duke u vënë kështu kundër disa praktikave të caktuara. Sipas mendimit të Gjykatës veprimet e këtilla kanë për qëllim që të ndikojnë te individët e tjerë që të përmbahen nga dhënia e një mendimi për shkak të frikës nga pasojat e ngjashme dhe ka një ndikim të drejtpërdrejtë në pavarësinë e gjyqësorit.

A e kemi humbur luftën, apo ka ende beteja për të cilat vlen të luftohet?

Jetojmë në një vend në të cilin që nga pavarësia e tij deri më sot pothuajse nuk ka pasur asnjë dekadë në të cilën nuk ka pasur përgjime masive të paligjshme të komunikimit të qytetarëve, e që kanë pasur epilog gjyqësor. Është normalizuar dhe është bërë i pranueshëm pajtimi i kundërshtarëve politikë përmes ndikimit në gjyqësor dhe zbatimit të praktikave dhe zgjidhjeve që mundësojnë shmangien e përgjegjësisë (ndikimi tek gjykatësit dhe prokurorët, faljet e të dyshuarve për korrupsion, miratimi i ligjeve për amnisti, ndryshimet e Kodit Penal me qëllim uljen e dënimeve për veprat penale për korrupsion, etj.) dhe kohezioni politik për mbajtjen e status quo-së kur duhet të bëhet ndryshim i ligjeve që të mbahet përgjegjësi. E gjithë kjo ndikon në përqindjen e pandëshkueshmërisë, ndërsa është pikërisht pandëshkueshmëria ajo që stimulon shkelje të reja të ligjeve, sjellje të reja korruptive, e me këtë edhe shkelje të reja të të drejtave të qytetarëve, duke e minuar mbrojtjen e viktimave.

Prandaj, si bartës të funksioneve publike në gjyqësor, ne duhet seriozisht t’i zëmë rrugën pandëshkueshmërisë, të gjejmë mënyra kreative për t’i kapërcyer sfidat me të cilat përballemi dhe të tregojmë vendosmëri në luftën kundër korrupsionit. Sepse lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm një luftë për qeverisje më të mirë, por është edhe një luftë për të drejtat e njeriut, për një jetë të barabartë dhe dinjitoze për të gjithë ne.