Nota mesatare e Maturës Shtetërore është 3.66, rezultatet pothuajse në nivelin e vitit të kaluar
Maturantët e vitit shkollor 2025-2026 e përfunduan procesin e dhënies së provimit shtetëror të maturës në afatin e qershorit, me notë mesatare 3,66, të llogaritur pas parashtrimit dhe shqyrtimit të ankesave ndaj rezultateve preliminare të publikuara. Mesatarja është pothuajse e njëjtë me atë të vitit të kaluar, kur ishte 3,69. Provimi u zhvillua sipas modelit të ri, transmeton Portalb.mk.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, dhe rejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Daniella Jovçevska Mihajllovska sot ndanë detaje nga provimet e këtij viti.
„Këtë vit, për herë të parë provimi u zhvillua sipas Konceptit të ri, i cili përcaktoi tri lloje të maturës-shtetërore, profesionale dhe artistike. Me këtë, të gjithë nxënësit u testuan për materialin që realisht e kanë mësuar gjatë katër viteve të arsimit të mesëm, gjë që nuk ishte në të kaluarën, kur të gjithë testoheshin me të njëjtin material. Jam e kënaqur që për dy vite me radhë mbahet pothuajse e njëjta mesatare, ndryshe nga viti 2024, kur ajo ishte 3,26“, theksoi Janevska.
Ajo informoi se nota mesatare nga provimi shtetëror i maturës është 3,62, nga matura profesionale është 3,91, ndërsa nga matura artistike është 3,59. Këto të dhëna do të jenë të krahasueshme nga viti i ardhshëm shkollor, kur për herë të dytë do të zhvillohet dhënia e provimit sipas modelit të ri.
Sipas lëndëve, nota mesatare në gjuhën amtare është 3,93, ndërsa në gjuhën angleze është 3,31. Mesatarja në matematikë është 4,20. Nxënësit që iu nënshtruan provimit të gjuhës frënge arritën notë mesatare 4,50, në gjuhën gjermane 4,70. Në gjuhën ruse 4,71, ndërsa në gjuhën italiane 4,50. Në lëndën e historisë, nota mesatare është 4,16.
„Nuk kemi më kopjues si para dy vjetësh. Për 226 nxënës provimi është anuluar dhe ata do t’i nënshtrohen sërish provimit në afatin e gushtit. Një pjesë u kapën duke kopjuar gjatë provimit, ndërsa për një pjesë tjetër u konstatua se kishin kopjuar pas shqyrtimit të testeve të tyre“, tha Janevska.
Drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Mihajllovska, theksoi se lidhur me rezultatet janë parashtruar 805 ankesa, ndërsa 133 nxënës kanë bërë shqyrtimin e testeve. Afati i gushtit do të realizohet më 12 gusht, ku do të mbahet provimi i gjuhës së huaj, ndërsa më 14 gusht do të mbahet provimi i gjuhës amtare.
Provimet interne dhe mbrojtja e detyrave projektuese do të zhvillohen në periudhën 17-24 gusht.
Ndryshe, provimin e paraqitën 14.587 nxënës. Prej tyre, 12.184 për provimin shtetëror të maturës, 2.276 për maturën profesionale dhe 127 për maturën artistike. Gjithsej 348 nxënës nuk u paraqitën në provim, ose në përqindje, 2,39% e nxënësve munguan.
Matura shtetërore mbetet kërkesë për regjistrim në një fakultet. Me maturë shtetërore profesionale të kaluar, nxënësit do të mund të regjistrohen në fakultete profesionale të lidhura, dhe me një maturë shtetërore artistike, nxënësit do të munden gjithashtu të vazhdojnë në studime profesionale.
Ky material u publikua në kuadër të projektit “The Local Youth Lens”, i zbatuar nga “Mediat Inovative – Shkup”, mbështetet përmes programit të gjerë “MedIA-Lit”, i udhëhequr nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO/CCE) në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHRS), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut (MHC), Qendrën e Tiranës për Ekselencë në Gazetari (TCJE) nga Shqipëria dhe Iniciativën Atlantike (AI) nga Bosnja dhe Hercegovina, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal-Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të të Qeverisë së Malit të Zi.