Korri i grave “Teuta” u kualifikua në finale të ‘Albanian Got Talent’

Korri i grave “Teuta” ka arritur sukses të jashtëzakonshëm duke u kualifikuar në fnalen e spektaklit “Albanian Got Talent”, një prej skenave më të mëdha ku përballen talentet më të spikatura nga trojet shqiptare, shkruan Portalb.mk.

Korri i Grave “Teuta” solli një performancë që nuk u dëgjua vetëm me vesh, por u ndje me zemër. Publiku u ngrit në këmbë, sepse ajo që ata dhuruan në skenë ishte më shumë se këngë: ishte një rrëfim krenarie, një energji unike dhe një zë që bashkon traditën me bukurinë e artit.

Këngëtarja Anita Aziri për Portalb.mk tha se kalimi në finale është një emocion që nuk përshkruhet me fjalë është shpërblimi më i madh për çdo orë pune, sakrifice dhe dashuri që kemi dhënë për këtë art.

“Këtë herë u prezantuam në skenë me një performancë korale që synonte të pasqyronte identitetin tonë artistik, forcën e zërit kolektiv dhe emocionin që muzika përcjell kur interpretohet në harmoni. Repertori u përzgjodh me shumë kujdes, në mënyrë që të vinte në pah disiplinën, ndjeshmërinë dhe përkushtimin që karakterizon Korin e Grave “Teuta”. Një nga momentet më interesante dhe më të veçanta të paraqitjes sonë ishte interpretimi në gjuhën angleze i këngës “La Isla Bonita”, kënga ikonike e Madonna-s, e cila u prit jashtëzakonisht mirë dhe solli një dimension tjetër në performancën tonë, duke treguar se kori ynë ka aftësi të përshtatet dhe të shprehë emocione përtej gjuhës dhe zhanrit”, tha Aziri.

Ajo shtoi se përvoja e tyre në skenën e Albania’s Got Talent ka qenë shumë pozitive dhe tejet emocionuese.

“Atmosfera, pritja e ngrohtë e publikut dhe vlerësimi i jurisë na dhanë siguri gjatë interpretimit, dhe mbi të gjitha na motivuan edhe më shumë për të vazhduar këtë rrugëtim me më shumë pasion e energji. Kalimi në finale është një ndjenjë e jashtëzakonshme dhe një shpërblim i madh për gjithë punën dhe sakrificën tonë. Ndihemi krenare dhe thellësisht mirënjohëse për mbështetjen, ndërsa njëkohësisht jemi të vendosura të japim maksimumin në finale, duke përfaqësuar me dinjitet artin koral dhe zërin e grave në këtë skenë të rëndësishme”, tha Aziri.

Foto nga Korri i grave “Teuta” në gjysmëfinale të ‘Albanian Got Talent’. Foto: Anita Aziri
Foto nga Korri i grave “Teuta” në gjysmëfinale të ‘Albanian Got Talent’. Foto: Anita Aziri