Konti me veshje muzhiku

Tolstoi, apo konti me veshje muzhiku, që besonte se gjithmonë ka një rrugë tjetër përveç urrejtjes dhe shkatërrimit, mbetet në Olimpin e letërsisë botërore, edhe pse nuk u nderua kurrë me Çmimin Nobel për Letërsi.

“I urti i përnderuar”, sipas Hermann Hesse-s, bashkë me Rolland-in e Gandhin, “ndriçojnë besimin dhe ruajnë dritën në botën e amullt e të paarsyeshme”.

Romain Rolland-i shkroi edhe biografinë e mentorit të tij shpirtëror, që do t’i referohemi në vazhdim, ku u fokusua te fuqia artistike e veprave letrare dhe te qëndrimet etike të Tolstoit mbi dashurinë vëllazërore, vdekjen, kotësinë, artin, letërsinë dhe religjionin. (Romain Rolland, Jeta e Tolstoit, përktheu Albert Lulushi, Omsca-1, Tiranë, 2001.)

Sipas “evangjelistit nga Jasnaja Poljana”, nuk mjaftonte vetëm drita e Diellit, por duhej edhe drita e zemrës. Tolstoi shkroi se dashuria mund të ishte e devotshme, aktive ose estetike, kurse demoni më i tmerrshëm që pushtonte qenien njerëzore ishte kotësia.

Tolstoi kritikoi carin dhe nuk u pajtua me skemat shoqërore, shpirtërore dhe morale ruse, prandaj u çkishërua nga Sinodi i Shenjtë.

Gjeniu që pëlqente thjeshtësinë, urrente luksin dhe adhuronte modestinë, besonte se vetëm në vetmi jemi më afër Zotit; se religjioni duhej të vlerësohej nga veprat dhe jo nga fjalët; se besimtari duhej ta gjente paqen dhe lumturinë nëpërmjet përsosjes shpirtërore, empatisë, dëlirësisë dhe dashurisë për të afërmin e për Perëndinë.

Shkrimtari ishte kundër dhunës, korrupsionit elektoral dhe skllavërisë kushtetuese, një filozofi që e frymëzoi edhe Gandhin.
Ai e kundërshtoi edhe socializmin, sepse synonte vetëm kënaqjen e nevojave më të ulëta të njeriut: mirëqenien materiale.
Sipas Rolland-it, ai thoshte atë që mendon secili njeri i zakonshëm.

“Me ne ai nuk sillet si mësues kryelartë, si gjenitë krenarë që, me artin dhe diturinë e tyre, sundojnë mbi njerëzimin… Ai është, siç i pëlqente ta quante veten nëpër letra, me emrin më të bukur e më të ëmbël në botë: ‘vëllai ynë'”.

Heroina e shkrimeve të Tolstoit ishte e vërteta e bashkuar me dashurinë. Shoqërisë i duhet e vërteta. Shoqëria ku mbisundon hipokrizia nuk mund të jetë e lirë.

Tolstoi çmoi Gëten dhe Homerin, por jo edhe Shekspirin, sepse nuk pajtohej me qëndrimet etike në veprat e tij. Madje, ai shprehej se do të dëshmonte që gjeniu anglez “nuk ishte autor i rëndësishëm i letërsisë botërore”.

Kjo qasje është kritikuar edhe nga Fan Noli, i cili e dallonte etikën nga poetika: “Sa për Tolstojn, si dhe për shokun e tij Bernard Shou, kemi të themi që nuk duhet kurrë të kërkojnë moralitet në bukuri, qoftë të natyrës, qoftë të artit, qoftë të mjeshtërisë. Bukuria ka moralitet më vete, të cilin kurrë nuk mund ta kuptojnë nihilistët e estetikës, të cilët s’kanë kënduar përveç ungjillit dhe përpiqen ta zbukurojnë botën, duke u larguar nga burimi i bukurisë, nga natyra dhe nga të bijat e saj, artet.”

Tolstoi, që nuk i honepste artistët e dhjamur, të shëndetshëm dhe të kënaqur nga jeta, u largua fshehtas nga Jasnaja Poljana më 20 tetor 1910. Në orët e fundit të jetës, pasagjerëve në tren u predikoi për dashurinë dhe i udhëzoi të ishin kundër dhunës. Pak para se të pushonte në paqe, në stacionin e Astapovos, derdhi lot jo për veten, por për fatkeqët.

“Ka mbi tokë miliona njerëz që vuajnë; pse, pra, të gjithë ju rrini këtu dhe merreni me Leon Tolstoin? Atëherë mbërriti ajo — ishte e diel, 20 nëntor 1910, pak pas orës gjashtë të mëngjesit — mbërriti ajo… ‘lindja’, siç e quante ai, ‘vdekja, vdekja e bekuar'”, shkroi Rolland-i.

Tolstoi u varros në Jasnaja Poljana, në “varrin më poetik e më mbresëlënës”, siç e quajti Cvajgu.

“Varri i tij s’ka as kryq, as pllakë varri me mbishkrim, e nuk është i shkruar as emri i Tolstoit. Është varri i një njeriu të madh; varri i atij që, si askush tjetër, rënkoi nën barrën e emrit të lavdisë së vet e mbeti pa emër, sikur të ishte varrosur ndonjë njeri i rrugës, pa plang e pa shtëpi, pa farë e fis, apo si ndonjë ushtar i panjohur”, shkroi Rolland-i dhe shtoi se, ndërsa te veprat e Dostojevskit fuqia qëndron te idetë, te veprat e Tolstoit fuqia qëndron te mënyra e shprehjes së tyre.

Tolstoi besonte se nuk mund të shkruhej asgjë e keqe me një gjuhë të qartë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.