Konkluzioni i Qeverisë në lidhje me kandidatët për kryeprokuror nuk ka mbërritur ende në Këshillin e Prokurorëve

Këshilli i Prokurorëve Publikë ende nuk i ka marrë kandidaturat e pesë kandidatëve për pozicionin më të lartë të prokurorit publik – prokuror publik shtetëror, të cilët aplikuan në shpalljen nga Parlamenti. Qeveria njoftoi të martën se në një seancë është arritur konkluzion në lidhje me kandidatët dhe se ai do t’i dërgohet Këshillit të Prokurorëve Publikë, i cili duhet të dalë me deklaratë dhe të paraqesë mendim brenda 15 ditëve, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Bashkim Besimi, deklaroi sot se ata do të veprojnë brenda afatit ligjor dhe do t’i japin mendim Qeverisë, por vetëm pasi të kenë marrë dhe shqyrtuar kandidaturat.

“Deri më sot, propozimi me kandidatët e aplikuar për vendin e lirë ende nuk ka mbërritur (në Këshillin e Prokurorëve Publikë). Kur të arrijë, do të japim përgjigje në lidhje me kandidatët brenda 15 ditëve”, deklaroi Besimi.

Duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske, ai tha se derisa të mbërrijnë aplikimet, nuk mund të japë qëndrim të përgjithshëm në lidhje me kandidatët, por, siç shtoi ai, ata janë të njohur për publikun.

“Në parim, i njohim të gjithë kandidatët që janë regjistruar, do t’i shqyrtojmë, do të vendosim në seancë dhe do ta njoftojmë Qeverinë brenda afatit ligjor”, tha ai.

I pyetur nëse pret që Parlamenti ta dëgjojë Këshillin e Prokurorëve Publikë, Besimi sqaroi se, në përputhje me Ligjin për Prokurorinë Publike, ata ia dërgojnë mendimin e tyre në lidhje me kandidatët Qeverisë, dhe më pas, pasi të përcaktojë një kandidat, ia paraqet propozimin Parlamentit për zgjedhje.

“Qeveria, sipas ligjit, do të nominojë një kandidat. Ne mund të nominojmë dy ose tre ose një, por qeveria është ajo që ia bën propozimin Kuvendit. Nëse ne, në praktikë, japim mendim pozitiv për tre kandidatë, qeveria do të nominojë një kandidat në Kuvend. Kjo nëse japim mendim pozitiv. Nëse japim mendim negativ, atëherë kuptohet që qeveria nuk mund të nominojë një kandidat në Kuvend”, tha kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë.

Përndryshe, deri më tani as Kuvendi dhe as qeveria nuk kanë shpallur zyrtarisht emrat e pesë kandidatëve për kreun e Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, në publik dihet se prokurorja publike shtetërore në detyrë Anita Topollova-Isajllovska, prokurorja Lençe Ristovska, gjyqtari nga Gjykata Penale, Nenad Savevski, ish-kryetari i Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevski, dhe prokurorja nga Prokuroria e Shkupit, Lidija Raiçeviq janë në garë për këtë pozicion.

Njëri prej tyre pritet të pasojë Ljupço Kocevskin, i cili paraqiti ndorëheqje të parevokueshme nga pozicioni i tij në dhjetor të vitit të kaluar, pak para fillimit të seancës parlamentare në të cilën deputetët do të debatonin dhe votonin mbi propozimin e Qeverisë për shkarkimin e tij.

Në vend të tij si prokuror publik shtetëror në detyrë, Këshilli i Prokurorëve Publikë emëroi prokuroren Topollova-Isajlovska, e cila, sipas ligjit, nuk mund të mbajë pozicionin e kryeprokurorit në detyrë për më shumë se gjashtë muaj.

Më 29 korrik, Parlamenti votoi për interpelancë në lidhje me punën e Ljupço Kocevskit, dhe ai deklaroi se nuk do të jepte dorëheqjen nga posti i tij, por do t’i përkushtohej edhe më shumë punës së tij.

Pas tragjedisë në Koçani, kryeministri Hristijan Mickoski kishte njoftuar për pezullimin e procedurës për shkarkimin e Kocevskit, duke pasur parasysh hetimin e gjerë që po zhvillohet në lidhje me rastin.

Por, më 16 dhjetor 2025, Kuvendi i Maqedonisë vendosi ndërprerjen e funksionit të Prokurorit Publik të Maqedonisë për Ljupço Kocevskin. Ai paraqiti dorëheqje të parevokueshme në ditën kur Kuvendi do të shqyrtonte propozimin e Qeverisë për shkarkimin e tij. Deri në zgjedhjen e prokurorit të ri shtetëror, pozicionin e mban prokurorja Anita Topolova Isajlovska, e cila u zgjodh më 22 dhjetor nga Këshilli i Prokurorëve Publikë.