Konferenca mbi klimën, udhëheqësit botërorë të shqetësuar nga pasojat e motit ekstrem
Dhjetëra udhëheqës botërorë që po marrin pjesë në konferencën vjetore të Kombeve të Bashkuara për klimën në Azerbajxhan, po shprehin shqetësim për pasojat e ndryshimeve klimatike. Përtej fjalimeve mbi motin ekstrem, pjesëmarrësit kanë arritur të sigurojnë zotimin e bankave kryesore për t’u dhënë më shumë hua vendeve në zhvillim për t’u përballur me pasojat e ngrohjes globale, raporton Zëri i Amerikës.
Udhëheqës të vendeve të vogla ishuj janë ankuar se po përballen me pasojat më të mëdha të ndryshimeve klimatike. Ata ankohen se edhe ndihmat nga vendet e zhvilluara, që janë shkaktarët kryesore të ndryshimeve klimatike, janë shumë të vogla dhe të vonuara. Kryeministri i Grenadës, Dickon Mitchell foli në detaje mbi një thatësirë disa mujore në fillim të vitit ndërsa tani vendi i tij po përballet me një uragan të kategorisë 5. Kryeministri i ishullit, Niue, në anën tjetër të globit, pranë Fixhit dhe Zelandës së Re, tha se ndryshimet klimatike janë kërcënimi më i madh me të cilin përballet vendi i tij.
“Ne po dështojmë të arrijmë synimin për të mos lejuar rritjen e temperaturave mbi 1.5 gradë celsius. Për vendin tim dhe rajonin e Paqësorit, ndryshimi klimatik është kërcënimi më i madh me të cilin po përballemi”, tha zoti Tagelagi.
Ndryshimet klimatike bënë që sivjet Toka të jetë mbi 1.5 gradë celsius më e nxehtë, krahasuar me mesataren e epokës para industriale. Kufiri prej 1.5 gradë celsius u përcaktua në vitin 2015 gjatë konferencës së Parisit. Një nga përkushtimet kryesore që rritja e temperaturave të mos shkojë mbi 1.5 gradë celsius është ulja e emetimeve nga karburantet fosile në nivelin zero, deri në vitin 2050. Shkencëtarët që po marrin pjesë në konferencën në Baku, thonë se kjo nuk po ndodh.
“Emetimet nga lëndët djegëse fosile janë rritur përsëri në vitin 2024 dhe ne nuk po bëjmë mjaft në nivel global për t’i ulur ato”, thotë Mike O’Sullivan, shkencëtar nga Universiteti Exeter.
“Nëse marrim nivelet e sotme të emetimeve, rritja e përhershme e temperaturës përtej 1.5 gradë celsius do të ndodhë brenda gjashtë vjetësh. Pra duhet bërë ulje masive e emetimeve”, thotë Stephen Sitch, shkencëtar mbi mjedisin.
Shkencëtarët e pranuan se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa i kanë zvogëluar emetimet e gazeve duke investuar më shumë në energji të ripërtëritshme.
Duke folur në emër të Shteteve të Bashkuara, i dërguari për klimën John Podesta tha se pasojat e mosndërmarrjes së masave tashmë janë të qarta, duke kujtuar pasojat nga uraganet vdekjeprurës në Shtetet e Bashkuara Helene dhe Milton dhe motin ekstrem në pjesë të tjera të botës.
“Ne kemi një zgjedhje të qartë midis një të ardhmeje më të sigurt, më të pastër dhe një të ardhmeje më të pistë, më të rrezikshme dhe më të shtrenjtë. Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Le t’ia fillojmë punës dhe ta përfundojmë atë”, tha zoti Podesta.
Pjesëmarrësit në këtë takim po kërkojnë të arrijnë një marrëveshje mbi fondet që vendet e zhvilluara duhet t’i ndajnë për vendet në zhvillim për t’i ndihmuar ato të shtojnë prodhimin e energjisë së pastër. Një version fillestar i kësaj marrëveshjeje u publikua të mërkurën, por ajo ende nuk është finalizuar.
Një grup huadhënësish, përfshirë Bankën Botërore, njoftuan të martën se do të shtojnë fondet që vendet e varfra mund t’i marrin hua në 120 miliardë dollarë deri në vitin 2030. Kjo përbën një rritje afërsisht me 60% nga shuma e përcaktuar një vit më parë.