Konferenca e Prizrenit në mbështetje të teatrove shqiptare

Si duket Prizreni ngelet vendi strategjik prej ku dalin vendime e ide të shëndosha dhe rezultojnë gjithnjë pozitive për mbarë kombin. Kësaj radhe Portalb.mk mëson se është mbajtur një konferencë e rëndësishme sa i përket fatit të teatrove shqiptare në fillimin e bashkëprodhimit dhe thellimin e bashkëpunimit.

Për një javë me radhë Prizreni ishte nikoqir i edicionit të dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit, “Prizren fest” që është nën përkujdesin e aktorëve organizatorë: Zana Duraku, Adrian Morina dhe Shkelzen Veseli me ç ‘rast janë luajtur shfaqje, janë bërë takime, diskutime të rëndësishme si edhe janë mbajtur konferenca të rëndësishme, mes tyre edhe Konferenca Teatrore e organizuar nga tri teatrot kombëtare Tiranë- Prishtinë- Shkup në bashkëpunim me Festivalin Prizren-Fest. Konferenca është moderuar nga Kushtrim Sheremeti- drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës; Altin Basha – drejtor i Teatrit Kombëtar të Tiranës dhe Adem Karaga – drejtor i Teatrit Shqiptar të Shkupit, ndërsa tema e diskutimit ishte: “Bashkëpunimi ndërmjet teatrove shqiptare – sfidat, mundësitë dhe përparësitë”.

Konferenca zgjati një ditë, ndërsa morën pjesë artistë dhe përfaqësues të institucioneve teatrore shqiptare nga të tre vendet, njerëz të profesionit.

Portalbi mëson disa detaje nga kjo konferencë edhe pse të njejtat pritet që zyrtarisht të shpallen nga autoritetet përkatëse, mbështetëse. Kur themi kështu, nënkuptojmë gjithnjë se teatrot shqiptare bashkëpunojnë shumë mirë mes vete sa i përket bashkëpunimit, por jo edhe bashkëprodhimit, me këtë nënkuptojmë përkrahje financiare nga tri shtete për një shfaqje të vetme me aktorë nga tri vendet. PO. Kjo tashmë pritet të ndodhë, në vitin që vjen Festivali Mbarëkombëtar ” Moisiu” do të mbahet në Tiranë dhe në natën para se të shkelim 28 Nëntorin, do kemi mundësi të shohim një shfaqje të tillë, që mund të ketë qenë ëndërr e çdo shqiptari. Tri vende, një gjuhë, një skenë.

Në këtë konferencë kanë rënë dakord ministrat e kulturës nga Kosova e Shqipëria , Çeku e Margariti që të ndajnë një buxhet i cili do të shërbejë jo vetëm për këtë qëllim, por shumë më shumë, duke e thelluar bashkëpunimin mes teatrove në përgjithësi, jo vetëm atyre kombëtar. Ne fund të konferencës u miratua dhe një dokument me një listë të rekomandimeve që do të quhen, “Rekomandimet e Prizrenit” dhe që do t’u dorëzohen ministrave të kulturës të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në këtë konferencë është diskutuar edhe për përkrahjen dhe nxitjen e zhvillimit të dramaturgjisë shqiptare. Me këtë rast kujtojmë se Festivali” Moisiu” e ka prioritet dramën shqipe, por jo ekskluzivitet. Sidoqoftë, një bashkëpunim i madh pritet, një premierë e madhe. Festivali” Moisiu” fillon më 20 Nëntor ku do të shfaqen 13 shfaqje që janë realizuar nga nëntori i kaluar deri në tetorin që kemi para. Kur të mësojmë më shumë mbi pikat që janë paraqitur si rekomandime për teatrin shqiptar, Portalb.mk do t’ju njoftojë më detajisht. Në ndërkohë pritet caktimi i i dy komisioneve brenda dy muajve të cilët do të për mënyrën e qasjes në buxhet.