Koncert me motive të trashëgimisë kulturore: Arianit Ramadani sonte në Tetovë rikthen këngët e vjetra të Pollogut
Sonte, më 3 maj, me fillim nga ora 18:00, në Sallën e vogël të Fakultetit të Arteve në Tetovë, publiku do të ketë mundësinë të përjetojë një mbrëmje të veçantë muzikore, të dedikuar këngëve të vjetra dhe trashëgimisë kulturore të rajonit të Pollogut, nën interpretimin e këngëtarit Arianit Ramadani. Kjo mbrëmje pritet të sjellë në skenë tinguj autentikë dhe kujtime nga një repertor që ndër vite ka qenë pjesë e pandashme e jetës dhe identitetit muzikor të kësaj treve. Përmes këngëve të përzgjedhura nga Ramadani, publiku do të rikthehet te melositë që kanë shoqëruar breza të tërë dhe që vazhdojnë të mbeten të gjalla në kujtesën kolektive, shkruan Portalb.mk.
Në një deklaratë për Portalb.mk, Arianit Ramadani theksoi rëndësinë e veçantë që ka për të performanca në Tetovë.
“Ky koncert në Tetovë është shumë i veçantë për mua, sepse lidhem ngushtë me këtë vend dhe me publikun këtu. Është një ndjenjë e veçantë të performosh para njerëzve që të njohin dhe të mbështesin”, deklaroi Ramadani.
Repertori i kësaj mbrëmjeje do t’i kushtohet plotësisht këngëve të vjetra të Pollogut, këngë që ndër vite kanë ruajtur kujtesën, emocionin dhe identitetin kulturor të kësaj treve.
“Kam zgjedhur këngë që kanë një vlerë të veçantë kulturore dhe emocionale, këngë me të cilat janë rritur breza të tërë. Përmes këtij repertori dua të rikthej nostalgjinë, të ruaj traditën dhe t’i jap publikut një ndjesi autentike që na lidh të gjithëve me rrënjët tona”, theksoi ai.
Ramadani paralajmëron një mbrëmje plot emocion, energji dhe befasi për publikun tetovar.
“Publiku mund të presë një performancë shumë energjike, të sinqertë dhe plot emocione. Do të ketë edhe disa risi dhe surpriza gjatë koncertit. Nuk dua të zbuloj shumë, por mund të them që publiku do të përjetojë diçka ndryshe nga herët e tjera”, u shpreh këngëtari.
Në fund, këngëtari falënderoi ekipin, bashkëpunëtorët dhe sponsorët që ndihmuan në realizimin e koncertit.
“Për realizimin e këtij koncerti kam pasur përkrahjen e një ekipi të mrekullueshëm, bashkëpunëtorëve të mi dhe sponsorëve që besuan në këtë projekt. Pa ta, ky event nuk do të ishte i mundur”, përfundoi Arianit Ramadani.
Ky koncert realizohet me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Afishja e koncertit. Foto: Arianit Ramadani