Komunat veriore i mbetën borxh KOSTT-it edhe 18.9 milionë, barra prapë te Qeveria

Nuk do të jenë të mjaftueshme 11.8 milionët që Qeveria ua mori katër komunave veriore për ta shlyer obligimin financiar ndaj KOSTT-it për rrymën e papaguar, raporton Koha.net. Konsumatorët veriorë i detyrohen KOSTT-it edhe 18.9 milionë euro të tjera. Në Qeveri e shohin si opsion pagesën me mjetet e fondit të komunave veriore, por ekonomistët thonë se kjo është e jashtëligjshme, pa aprovim nga BE-ja.

Paratë e kursyera nga projektet që s’u kryen në katër komunat veriore me shumicë serbe do të përdoren për shlyerjen e borxhit të rrymës që qytetarët e kësaj pjese e shpenzuan, por s’e paguan.

11.8 milionët e paraparë për asfaltim të rrugëve, rregullim të kanalizimeve, ndërtim të qendrave afariste e kulturore do t’i barten Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT, për ta fshirë vetëm një pjesë të borxhit të akumuluar nga dhjetori i 2022-s.

Konsumatorët nga veriu i detyrohen KOSTT-it edhe 18.9 milionë euro të tjera për pagesën e të cilave Qeveria është e detyruar të gjejë zgjidhje.

“Pjesa e papaguar mbetet 18.9 milionë euro që mbeten obligime, të cilat do të duhen prapë të mbulohen nga Qeveria e Kosovës që i takojnë një periudhe të vitit 2023… Mbetet të shihet prej Qeverisë mënyra se si do të mbulohet. Kërkesa është adresuar gjatë vitit 2023”, ka deklaruar kryeshefi i KOSTT-it, Evetar Zeqiri.

Në ditën kur Qeveria mori vendim për shlyerjen e borxhit të rrymës me buxhetin e komunave veriore, ministri i Financave, Hekuran Murati, pati thënë se do të përdoren edhe mjete e Fondit Zhvillimor të Mirëbesimit.

Fondi u krijua më 2013, bazuar në një marrëveshje Kosovë-Serbi dhe në të janë arkëtuar mjete nga taksat e mbledhura në pikëkalimiet kufitare Jarinjë e Bërnjak.

Ekonomistët kanë thënë se fondi nuk mund të shpenzohet përpos në fushat për të cilat është i destinuar, si në infrastrukturë, shërbime sociale, ngritjen e kapaciteteve institucionale, kulturë, sport dhe bujqësi.

“Është në kundërshtim me Ligjin për financat publike, është në kundërshtim me vetë destinimin e këtyre mjeteve. Nuk janë duke shkuar në zhvillim këto. Janë duke shkuar në konsum. Shpenzim i kotë. Harxhim i parave pa asnjë grimë racionalitet”, ka deklaruar ish-ministri i Financave, Haki Shatri.

Fondi ka një bord të përbërë nga përfaqësues të BE-së, Ministrisë së Financave e të komunitetit serb të komunave në veri.

As Ministria e Financave e as Zyra e Kryeministrit nuk janë deklaruar nëse ka dakoordim paraprak brenda bordit për përdorimin e mjeteve për ta shlyer borxhin e energjisë.

Njësoj përgjigje s’ka kthyer as BE-ja.

Njohësi politik, Seb Bytyçi, ka thënë se për ndryshimin e destinimit të mjeteve duhet të ketë aprovim nga Brukseli.

“Nuk ka ndonjë ndalesë për shembull për pagesën e borxhit, por procedurat si funksionojnë janë që duhet të ketë pajtim mes përfaqësuesit të BE-së, për çfarëdo aprovimi të projekteve, sepse fondi udhëhiqet nga përfaqësuesi i BE-së dhe gjithashtu projektet propozohen nga katër komunat veriore”, ka deklaruar Bytyçi.

Në Qeveri nuk kanë dhënë shifra se sa është shuma e mjeteve të grumbulluara në fond.