U arrestua ish-pjesëtari i UÇK-së nga policia serbe

Avokati Xhevdet Smakiqi ka njoftuar se ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakaj, është arrestuar nga policia serbe në Merdarë rreth orës 09:00 të mëngjesit derisa po udhëtonte më vëllain e tij drejt Italisë, raporton KlanKosova.

Smakiqi tha se është autorizuar nga familja Dakaj që të mbrojë të drejtat ligjore të familjarit të tyre, teksa shtoi se ata janë nën frikë dhe ankth pasi që policia, ish-ushtarin e UÇK-së e kanë dërguar në qendrën e ndalimit në Kurshumli “dhe mund t’i nënshtrohet torturave fizike e psikike apo edhe më keq”.

“Unë menjëherë do të ndërmarr veprime duke ushtruar kërkesë pranë MPJD-së që të interesohet për fatin e shtetasit të Kosovës, Hasan Dakaj, i arrestuar sot në mëngjes në Merdarë nga polica serbë vetëm pse ka qenë ish-pjesëtar i UÇK-së”.

“Si avokat i familjes Dakaj i bëjë thirrje urgjente MPJD-së që përmes kanaleve diplomatike të kërkojë lirimin e Hasan Dakajt dhe t’i lejohet lëvizja e lirë sikurse çdo shtetasi të Kosovës, pa diskriminimin”, shkroi Smakiqi, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ai i bëri thirrje Serbisë që ta ndal persekutimin e shtetasve të Kosovës, duke thënë se Serbia po e shkel lirinë fundamentale të lëvizjes së lirë, me fokus të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.