Studentët e Maqedonisë së Veriut kanë një javë mundësi të aplikojnë për sigurimin e mjeteve financiare për transport

Ministria për Arsim dhe Shkencë ka publikuar Thirrjen publike për realizimin e mbështetjes financiare për studentët të cilët jetojnë jashtë vendit të studimit për vitin akademik 2023/24, transmeton Portalb.mk.

“ Përfitimi i mbështetjes financiare për shfrytëzuesit është në shumën  e biletës mujore për komunikacion ndërqytetës nga vendbanimi i studentit deri në vendin e studimit, në vlerë jo më pak se 600 denarë dhe jo më shumë se 1.200 denarë në muaj, për një periudhë prej shtatë muajsh, duke filluar nga muaji dhjetor 2023”, njoftoi Ministria.

Konkurs theksohet që aplikimi duhet të bëhet brenda shtatë ditëve nga dita e publikimit. Studentët ndër të tjera duhet të jenë të rregullt në universitetet shtetërore dhe shtetas të RMV-së.

“Për të fituar mbështetjen financiare, kandidatët duhet të paraqiten në mënyrë elektronike në linkun në vazhdim: https://e-uslugi.mon.gov.mk/”, njoftoi Ministria.

Ndryshe, muajin e kaluar studentët kanë pasur mundësi të aplikojnë deri më 25 dhjetor për të siguruar mjetet financiare për transport.

Studentët në këtë thirrje paraqiten në mënyrë elektronike nëpërmjet portalit “e-shërbime”.

Kandidatët e interesuar duhet të ngarkojnë paraqitje se janë studentë i rregullt në universitet shtetëror, vërtetim për nënshtetësi, letërnjoftim ose dokument tjetër për identifikim, llogari bankare dhe dëshmi për lartësinë e biletës mujor për transport mes qyteteve nga vendi i vendbanimit deri në vendin e studimit. Si provë, thonë nga MASH, mund të dorëzohet fotografia nga bileta mujore, llogari fiskale ose “printskrin” nga çmimet e publikuara në ueb-faqet e transportuesit.