Lumi “Shkumbin” tmerrësisht i ndotur, Inspektorati nuk ka shqiptuar asnjë gjobë, thotë se fotografon ndotësit (FOTO)

Lumi “Shkumbin” në Tetovë mbetet një nga pikat ekologjike më të nxehta në vend. Ndotja e tij nga qytetarët e pandërgjegjshëm me vite po ndodh dhe assesi nuk sanksionohet. Derisa kjo ndotje bart edhe rreziqe për mjedisin dhe qytetarët, veprimet e institucioneve janë sipërfaqësore dhe nuk kanë çuar në zgjidhje të këtij problemi. Gjendja më e rëndë është në pjesën e poshtme të qytetit, ndërsa për këtë krim ekologjik inspektorati komunal deri më sot nuk ka dënuar askënd, shkruan Portalb.mk.

Ornamente shtëpiake, dërrasa, materiale ndërtimore, rroba, shishe plastike, drunj dhe shumë materiale të tjera janë vetëm disa nga mbeturinat të cilat gjenden të hedhura në shtratin e Lumit “Shkumbin” në Tetovë, duke filluar që nga Banja e Tetovës e deri në pjesën e poshtme të qytetit, lagjen “Dardania”, aty ku është edhe katastrofa më e madhe.

Ndotja e lumit me pasoja në mjedis dhe shëndet

Ndotja e lumit ka efekte negative si për mjedisin ashtu edhe për shëndetin e qytetarëve, pasi pikërisht nga kjo “deponi në rrjedhë” mund të përhapen rreziqe të mëdha. Ekologët thonë se në këtë mënyrë barten baktere dhe ekziston mundësia të përhapen sëmundje të ndryshme.

Arianit Xhaferi, aktivist mjedisor. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Arianit Xhaferi, aktivist mjedisor. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Aktivisti mjedisor Arianit Xhaferi, thekson se arsye për këtë problem është mungesa e vetëdijes qytetare, por sipas tij shumë më e rëndësishme është mungesa e aktivitetit të duhur nga ana e inspektorateve mjedisore të cilët duhet të identifikojnë ndotësit dhe t’i gjobitin fajtorët.

Nëse hyjmë në detaje se çfarë pasojash mund të lënë ujërat e ndotur, duhet të kemi parasysh se këto ujëra diku përdoren për ujitjen e kulturës bujqësore që e konsumojmë, por edhe për pije nga kafshët nga të cilat konsumojmë qumështin, mishin apo produkte të tjera të rëndësishme, dhe sigurisht që kjo shkakton probleme më serioze në shëndetin tonë, probleme të cilat edhe shpesh herë trashëgohen brez pas brezi dhe janë gjenetike”, thotë Xhaferi.

Lumi pastrohet, por ndotet përsëri

Komuna e Tetovës thotë se çdo vit pastron shtretërit e lumenjve, përfshirë edhe “Shkumbinin”. Këshilltarët e Këshillit Komunal të Tetovës me 31 mars, votuan pro miratimit për planin aksionar për pastrimin e shtretërve të lumenjve në këtë komunë për vitin 2023.

Memet Jonuzi, udhëheqës i Sektorit për Veprimtari Komunale në Komunën e Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Memet Jonuzi, udhëheqës i Sektorit për Veprimtari Komunale në Komunën e Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Memet Jonuzi, udhëheqës i Sektorit për Veprimtari Komunale në Komunën e Tetovës për Portalb.mk theksoi se për këtë vit kanë planifikuar një milionë denarë për pastrimin e lumenjve, ku aktualisht po pastrohet shtrati i lumit në fshatin Poroj, dhe pas disa ditëve do të pastrohet edhe shtrati i lumit “Shkumbin”.

Megjithatë, thekson ai, pjesa e ndotjes është kompetencë e inspektoratit.

“Sa i përket pjesës që hedhen mbeturinat inerte apo mbeturinat tjera në lumin Shkumbin ajo është kompetencë e inspektoratit që duhet ta mbikëqyr gjatë gjithë kohës. Ne si sektor kemi obligim për çdo vit pjesën e verës ta pastrojmë kur lumi pakësohet apo zvogëlohet sasia e ujit që ne të ndërhyjmë për të bërë pastrimin e të njëjtës”, tha Jonuzi.

Ai shtoi se e kanë obligim për çdo vit që të bëjnë pastrimin e shtretërve të lumenjve nga ardhja e dheut, e cila ndodh natyrshëm. Ndërkaq theksoi se ndryshe nga vitet më parë, Ministria e Mjedisit këtë vit nuk ka ndarë mjete për pastrimin e shtretërve të lumenjve për të gjithë komunat në nivel shtetëror.

“Duhet rrahur qytetarët nga xhepi”

Aktivisti i mjedisit, Arianit Xhaferi thekson se duhet shqiptuar dënime në mënyrë që qytetarët të ndalojnë me ndotjen. I gjithë faji sipas tij përfundon te mungesa e kulturës qytetare dhe kultura e padënueshmërisë e cila është mbjellë për vite me radhë, gjenerata me radhë dhe njerëzit ndjejnë se mund të bëjnë çfarë të duan dhe si dënon askush.

“Zgjidhja do të ishte angazhim më i sinqertë jo vetëm kështu pro forma, por angazhim më i sinqertë i inspektorateve mjedisore qoftë ato lokale qoftë ato qendrore si dhe aktivizimi i gjobave, duhen shkruar gjoba me doemos, duhet “rrahur qytetarët nga xhepi” ata që ndotin me qëllim që të vetëdijesohen në këtë formë, sepse fatkeqësisht këtë natyrë të bukur që na e ka falur zoti nuk po e mbrojmë, por po e shkatërrojmë dita ditës dhe nëse nuk jemi të vetëdijshëm ta vlerësojmë atë dhuratë, atëherë mbetet që t’i japim dhurata shtetit nga xhepat tonë për dëmet që i shkaktojmë natyrës”, tha Xhaferi.

Mbeturinat në lumin Shkumbin në Tetovë te lagja Dardania. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Mbeturinat në lumin Shkumbin në Tetovë te lagja Dardania. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Inspektorati komunal nuk ka shqiptuar asnjë dënim për ndotjen e Shkumbinit

Inspektorati Komunal i Tetovës arsyetohet se bëjnë kontrolle të rregullta herë pas here për të kapur ndotësit e lumit “Shkumbin”, por për ndotjen e lumit Shkumbin siç konfirmuan për Portalb.mk deri tani nuk kanë shqiptuar asnjë dënim.

Lagja “Dardania”, më problematikja

Problemi me ndotjen e lumit është më i theksuar në lagjen Dardania apo e njohur ndryshe edhe si pjesa ku banojnë qytetarët e përkatësisë rome. Në pjesën e lumit aty gjenden lloj-lloj mbeturinash nga më të ndryshmet. Nga bulevardi V.S. Bato (Industrial) e më poshtë në drejtim të periferisë së qytetit, shtrati i lumit është i parregulluar dhe pa mur mbajtës.

 

Nga Sektori për Veprimtari Komunale thanë se kanë aplikuar në Ministrinë e Mjedisit për ndërtimin dhe rregullimin e shtratit të lumit deri te autostrada, që të bëhet si pjesa nga ky bulevard e lartë, që pritet edhe të zbutë problemin me ndotjen, dhe se janë në pritje të përgjigjes nga ana e ministrisë. Ndërsa nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për Portalb.mk njoftuan se Sektori i ujërave ka dhënë pëlqimin për rregullimin e shtratit të Shkumbinit në këtë pjesë.

Sa i përket gjobave, Inspektorati komunal për Portalb.mk thekson se pikërisht se në këtë pjesë kanë problemin më të madh.

Nga atje theksojnë se kanë bërë kërkesë te ndërmarrja komunale që të dërgojnë kontejnerë të veçantë te ajo lagje, shkaku që mos t’i hedhin mbeturinat në lum, por nëpër kontejnerë dhe pastaj të shkojnë t’i pastrojnë. Por kjo që thotë Inspektorati nuk është realizuar.

Mbeturinat në lumin Shkumbin në Tetovë te lagja Dardania. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Mbeturinat në lumin Shkumbin në Tetovë te lagja Dardania. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Inspektorati “nuk mund t’i dënojë” ndotësit në “Dardania”

Inspektorati i Komunës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Inspektorati i Komunës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Shpesh herë realizohen kontrolle nga ana jonë, por personat që kemi hasur duke i hedhur mbeturinat nuk posedojnë dokumentacione legjitimiteti, prandaj edhe nuk kemi mundur t’i sanksionojmë. Por me fotografi ua kemi përcjellë policisë, të na gjejnë të dhënat e tyre se kush janë, që të bëjmë më pas sanksionime”, thanë nga Inspektorati komunal duke shtuar se presin që Policia e Tetovës të ua dërgojë të dhënat e ndotësve.

Policia kundër Inspektoratit: Nuk kanë arritur fotografi

Nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë për Portalb.mk theksuan se në Polici nuk kanë arritur fotografi të tilla nga ana e Inspektoratit Komunal.

Sektori për Punë të Brendshme (SPB) - Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Sektori për Punë të Brendshme (SPB) – Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Te ne deri tani nuk kanë arritur fotografi të tilla. Është e palogjikshme nëse ata kanë konstatuar një shkelje të tillë, pse nuk e kanë thirrur policinë në vend-ngjarje, është dashur ta thirrin policinë. Policia ka mundur të shkojë t’i merr automatikisht aty, t’i identifikojë, të ua jep të dhënat dhe t’i dënojnë”, thanë nga Policia e Tetovës.

Për këtë problem me vite të tëra Portalb shkruan ndërsa autoritetet premtojnë zgjidhje, por deri më tani siç shihet, nuk ka rezultat konkret në terren.