Komiteti për hetimin e aksidenteve ajrore po heton përplasjen e mundshme të dy avionëve mbi Shkup
Komiteti për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve të Rënda të Aviacionit (KHAIRA) pritet të fillojë sot aktivitetet në Navigacionin e Maqedonisë (M-NAV) si pjesë e hetimit për ngjarjen e sigurisë në qiellin mbi Shkup më 7 shtator, në të cilën u shmang përplasja mes dy avionëve, transmeton Portalb.mk.
Kryetari i KHAIRA-s, Zoran Ilievski, tha se në hetim do t’i shikojnë regjistrimet, do të dëgjojnë regjistrimet e bisedave të kontrollorëve me pilotët e avionëve dhe do t’i bëjnë bisedat e nevojshme.
“Nuk përcaktojmë fajësinë, por arsyen që ka çuar në një incident të tillë. Do të kërkojmë deklarata edhe nga pilotët e dy avionëve përmes autoriteteve të tyre të aviacionit, kështu që do ta informojmë opinionin”, tha të premten për MIA, Zoran Ilievski, kryetar i KHAIRA-s.
Lidhur me ngjarjen është duke vepruar edhe Agjencia e Aviacionit Civil (AAC), e cila nëse konstatohet se ka vepër penale, konstatimet duhet të dërgohen në Prokurorinë Themelore Publike.
“Ofruesi i shërbimeve të navigimit M-NAV raportoi siç duhet ngjarjen dhe AAC do të veprojë në lidhje me të”, tha AAC.
M-NAV njoftoi se raporti për incidentin e sigurisë mbi qiellin e Shkupit është dorëzuar në afatin e paraparë dhe se është hapur hetim për të përcaktuar gjendjen reale dhe shkaqet.
Bëhet fjalë për avionin e “Turkish Airlines” në fluturimin nga Madridi në Stamboll dhe avionin “Sanexpred” nga Dalaman i Turqisë për në Londër, Gatwick. Tridhjetë sekonda para se të ndaheshin, avionët ishin në të njëjtën lartësi prej 36,000 këmbësh. Para se të ndaheshin, një avion ishte ngjitur në 36,325 këmbë dhe tjetri kishte zbritur në 35,475.
Sipas rregullave të trafikut ajror, duhet të ketë 2 mijë këmbë në distancë vertikale midis avionëve.
Agjencia e Aviacionit Civil (AAC) dhe M-NAV kanë konfirmuar se për ngjarjen është hapur një hetim për të përcaktuar situatën reale dhe arsyet.
“Më datë 7 shtator në ora 18:30 është dorëzuar raport për një incident sigurie brenda afatit të caktuar nga përmbaruesit që kanë punuar në sektorin e prekur. Sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara, raportimi është regjistruar nga departamenti IMS (Integrated Management Systems) dhe është dorëzuar në Agjencinë e Aviacionit Civil. Gjithashtu, sipas procedurave të vlefshme, nga ana e departamentit të IMSs-së është hapur hetim për përcaktimin e situatës reale dhe shkaqeve të ngjarjes. Dëshirojmë të theksojmë se ngjarje të tilla, si kudo në Evropë, gjithmonë raportohen dhe procedohen me shpejtësi nga të gjitha departamentet, shërbimet dhe institucionet përkatëse, në përputhje me procedurat ligjore ekzistuese”, thuheJ në njoftimin e M-NAV.