Arsimi 24/25: Sfida, perspektiva

Viti shkollor 24-25 në krahasim me vitet e kaluara

Sa i përket vitit të ri shkollor 24/25 ka një zhvillim pozitiv, librat klasikë, të cilëve fëmijët do t’iu gëzohen bashkë me mësimdhënësit që do t’iu lehtësohet puna. Abetarja mbarëkombëtare apo e unifikuar si material shtesë është një favor për vogëlushët. Trend shqetësues është “bagazhi” apo përgatitja e dobët me të cilin vijnë nxënësit në shkollë të mesme dhe më vonë në universitet. Një ditë një profesor i matematikës ankohej se është duke mbajtur kurse falas me studentë ngase vijnë pa kurrfarë bazamenti nga dy ciklet paraprake: “Përndryshe, me përjashtim të dy-tre vetave, do duhet t’i rrëxoj të gjithë!” Po edhe në lëndë më te lehta kemi një rënie të lirë. Mësimdhënësit e dikurshëm të kohës së monizmit dukeshin gjigantë në dije krahasuar me këta të tashmit. Personalisht ende kemi  një dije minimale të frengjishtes që e kemi mësuar para më tepër se katër dekadash. Disa vjersha, teorema e Pitagorës, sinusi, qeliza, indi, molekula, tabela e Mendelejevit, meridianet, madje edhe emrat e hidrocentraleve janë fjalë kyçe që i kemi të freskëta sikur t’i kishim mësuar dje. Përkushtimi ka qenë tipar i mësimdhënësve të dikurshëm. S’kishte kurse ekstra me pagesë jashtë kurikulës shkollore, por nxënësit ishin të pajisur me dije të gjera dhe të shëndosha. Arsimi jodemokratik, ama me themel. Sot përballemi me sindromin “Pisa”, me rezultatet e tij që për trojet shqiptare janë deprimuese. Ky fakt nxjerr në pah një segment tjetër: krizën e universitetit që prodhon këto kuadro mësimdhënëse. Sa i takon arsimit të lartë në RMV, tre universitetet shqiptare që i kemi duhet që të rindezin motorët e konkurrencës akademike dhe duke ndjekur trendet ndërkombëtare të kultivojnë vlera, të diplomuar që janë të gatshëm për garën diturore globale. Sa më shumë publikime në platformat me impakt faktor, sa më shumë hulumtime me bazë aplikative.

Sfidat e  reja dhe sistemi arsimor

Sfidat e reja-të vjetra janë si këtë gjeneratë të teknologjive informatike ta mbajmë aktive në mësim, si të mbtet in, kur tërë ditën është në kontakt me veglat smart që edhe ofrojnë por edhe marrin nga ai, nga psikologjia dhe mundësitë për mbindërtim të shëndoshë. Metodat e ligjërimit duhet ndryshuar: gjetjet më të reja empirike flasin se nxënësi/studenti që vjen nuk dëgjon aktivisht më tepër se 20 minutat e para. Burimet e mësimit nuk janë më vetëm librat. I riu i sodit ka në pëllëmbë të dorës informacione infinite. Fenomeni CHATGpt po e revolucionarizon edhe universitetin. Shfaqja e të mësuarit përmes makinës ka transformuar mënyrën e edukimit si te nxënësit ashtu edhe te profesorët. Duke përdorur mjetet dhe analizat e fuqizuara nga AI (inteligjenca artificial) dhe ICT (teknologjitë infotmatike dhe të komunikimit), edukatorët mund të krijojnë mjedise mësimore më tërheqëse, gjithëpërfshirëse dhe efektive që plotësojnë nevojat e ndryshme të studentëve. (Stathum, 2024) Pra, çështja e aktualitetit në sferën e arsimit është edukimi i qytetarit digjital të shekullit XXI.

Sfidë tjetër është motivmi i mësimdhënësve me rroga më të larta nga siç e dimë njeriu është homo economicus, pra ka nevoja materiale të cilat po nuk iu plotësuan, çalon edhe në performancat e veta në mësimdhënie. Me rëndësi është edhe bashkëpunimi me prindërit që të arrihet efektivitet më i lartë në këtë proces kompleks të përgatitjes së personalitetit të fëmijëve. Sfidë është janë edhe devijimet e kohës, nga krminaliteti, drogërat, te lojërat e fatit, që për fat të keq kanë pllakosur shkollat tona me afrimin institucioneve arsimore sa s’bën dhe që mund t’ua humbin rrugën shumë fëmijëve dhe të rinjve, deri te aktet suicidale që këtyre ditëve tronditën dhe lanë pa tekst kryeqytetin më religjioz të gjithë shqiptarisë, Shkupin.

Sipas një hulumtimi të Qendrës për Komunikime Civile (QKC) në dekadën e fundit numri i nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme në RMV ka rënë për 27 mijë. Shkaqet?

Një problem tjetër është edhe rënia e numrit të nxënësve që flet për një demografi negative që dita-ditës apo vit pas viti po na tkurr si entitet edhe neve sikurse të tjerët dhe krijon një atmosferë të zymtë për të gjithë, nga menaxhmenti i shkollës deri te prindërit që jetojnë nën trysninë e mantrës “të gjithë po ikin”. Shkaqet e zbrazjes së shkollave janë shumë. Duke filluar nga ato ekonomike, politike, deri te psikologjia e masave, pra ndjekja e të tjerëve pa menduar mirë. Trendi i moslindjes së shumë fëmijëve apo familja bërthamë e ka zëvdendësuar atë të zgjeruar apo tradicionale që dikur ishte normalitet. Pra familjet me 4-5 fëmijë janë raritet sot, trajtohen si histori, rastet e tilla shërbejnë edhe për tallje. Korruptimi i të gjitha sferave të jetës që e kanë realizuar politikanët kanë shkaktuar që brezat e rinj të humbin shpresën te e ardhmja, tek të martuarit e  dekadave të fundit saqë edhe njerëz me gjendje stabile të jetesës e braktisin vendin. Përderisa nuk shohim lakoren pozitive të zhvillimeve në vend kjo tendencë e zbrazjes së shkollave do të vazhdojë.

Pritshmëritë

Të ndiqen trendet globale, në veçanti ato perëndimore që flasin për high-quality teachers (mësimdhënës të kualitetit më të lartë), efektivitet të mësuarit aktiv dhe reflektiv, mirëqenie, shëndet mendor, prevalencë të inteligjencës artificiale. Për fat të keq, te ne ende flasim për transportin, me çka do shkojnë në shkollë nxënësit, a do të ketë autobusë nesër, gjë të cilën kombet e civilizuara qëmoti nuk e diskutojnë edhe është turp të jetë aktualitet. Atje flitet për smart tools dhe intervenim të fokusuar për nxënës individualë, për enjoyment of school (kënaqësi në shkollë), ndërsa për konvikte të ruinuara, për libra me faqe të munguara, për nivele shkollore që kanë tekste pjesërisht apo s’i kanë fare, për punësime politike në arsim e të ngjashme

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.