Komiteti i Helsinkit dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese iniciativë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së tre neneve të  Ligjit për marrëdhënie pune

Më 4 korrik 2023, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese të RMV-së iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së neneve 1, 2 dhe 3 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrëdhënie pune (LMP), lidhur me zbatimin e Marrëveshjes me “Bechtel dhe Enka” për ndërtimin e katër seksioneve autostradë në korridoret 8 dhe 10d, trasnmeton Portalb.mk.

“Komiteti i Helsinkit konsideron se një zgjidhje e tillë ligjore paraqet shkelje të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe mundëson anashkalim të plotë të procedurave për miratimin e ligjeve. Ngritja e vendimeve të pushtetit ekzekutiv në nivelin e ligjit do të thotë ndërhyrje e ekzekutivit në rolin e pushtetit legjislativ. Duke përdorur termin interes strategjik kombëtar (pa e përcaktuar më në detaje), si bazë për vendosjen e rregullave paralele që do të zbatohen vetëm në raste të caktuara, mundësohet ekzistimi i zgjidhjeve të mëtejshme ligjore për marrëdhëniet e punës, zbatimi i të cilave do të varet nga vlerësimin e strukturave të caktuara që nuk janë krijuar qartë. Rezultati i kësaj është pasiguria juridike dhe pabarazia e qytetarëve para Kushtetutës dhe ligjeve”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.

Ndryshimet ligjore, thonë nga Komiteti në fjlë, paraqesin zgjidhje shfrytëzuese që frenojnë marrëdhëniet e punës në vend dhe e distancojnë atë nga tendencat e Bashkimit Evropian dhe konventave ndërkombëtare.

“Ndryshimet e propozuara kufizojnë dhe bëjnë të pamundur në mënyrë drastike ushtrimin e të drejtave të punës. Bëhet fjalë për uljen e kohëzgjatjes së pushimit ditor dhe javor në projektet strategjike, por duke pasur parasysh rastin aktual të ndryshimeve në ligj, bëhet fjalë për ndërtim, ku puna kryhet jashtë, në të gjitha kushtet atmosferike dhe kërkon përpjekje të jashtëzakonshme fizike. Bëhet fjalë edhe për kryerjen e punëve dhe detyrave të punës ku ka shkallën më të lartë të rrezikshmërisë përsa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë për shkak të ekspozimit ndaj substancave të dëmshme dhe ekspozimit ndaj aktiviteteve të rrezikshme që kërkojnë gatishmëri të veçantë psikofizike dhe kthjelltësi në ekzekutim”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.

Sipas tyre kjo paraqet shfrytëzim klasik të fuqisë punëtore, i cili del jashtë kornizës së humanizmit dhe trajtimit human të njeriut dhe qytetarit, që nënkupton vlerësimin e qenies njerëzore dhe të gjendjes njerëzore.

“Emëruesi i përbashkët i secilit prej këtyre ndryshimeve është “rëndësia strategjike dhe kombëtare”, dhe rregullat e parashikuara në zgjidhjen ligjore të kontestuar janë në fakt përjashtime nga rregullat tashmë të vendosura që do të zbatoheshin për projektet me rëndësi strategjike kombëtare. Standardi i vendosur në këtë mënyrë, i cili është kusht për përcaktimin e rregullave të ndryshme në realizimin e të drejtave të punës, çon në trajtim të pabarabartë të punëtorëve nga të njëjtat degë dhe nga degë të ndryshme dhe në mungesë të një kuadri ligjor që do të rregullojë deklarimin e projekte të caktuara me rëndësi kombëtare ose strategjike sjellin pasiguri juridike dhe një fushë të gjerë abuzimesh”, vlerësojnë nga Komiteti i Helsinkit.

Në maj të këtij viti, Kuvendi miratoi ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve lidhur me realizimin e Marrëveshjes “Behtel dhe Enka” për ndërtimin e katër sekcioneve të autostradave në korridoret 8 dhe 10D.

Kujtojmë që, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D. Shënimi u bë nga Ministria për transport dhe lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore.

Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.