Ibn Khalduni (1332 – 1406), pasi e braktisi politikën, shkroi kryeveprën “Mukadima”, që studiuesit e vlerësuan si “analizë të thellë mbi shoqërinë, shtetin dhe qytetërimet”.
Ky njeri i mendimit dhe i veprimit politik e krahasoi shkëlqimin dhe rënien e shteteve e të qytetërimeve me ciklet e jetës: lindjen, rritjen, plakjen dhe vdekjen.
Khalduni mendonte se shkaqet kryesore që çojnë në shthurjen e shteteve dhe të shoqërive janë: abuzimi me pushtetin për interesa personale; mosbesimi tek institucionet; dobësimi i solidaritetit dhe i ndërvarësisë sociale; degradimi i moralit njerëzor e shoqëror; zvetënimi i familjes; paaftësia e ushtrisë për të mbrojtur shtetin; dobësimi i ekonomisë që ndikon në rritjen e papunësisë dhe varfërisë etj.
Sipas tij, popujt nuk shuhen kur përjetojnë disfatë fizike, por kur përjetojnë disfatë psikologjike.
E sipërthëna është aktuale për çdo shoqëri bashkëkohore ku abuzohet me pushtetin, ku mungon solidariteti social dhe ku ka humbur besimi tek institucionet.
Nuk është për t’u çuditur pse mendimet e Khaldunit janë aktuale. Përvoja e shekujve na mëson se, në rrethana të ngjashme, shoqëritë e çdo kohe ndjekin të njëjtën rrugë zhvillimore ose degraduese.
Shoqëritë shkojnë drejt shthurjes kur aty humb ndjenja për jetën e përbashkët.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.