KFOR shtoi prezencën në veri të Kosovës

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, mëngjesin e 29 majit ka shtuar prezencën në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, transmeton REL.

Serbët lokalë të këtyre komunave janë mbledhur më 29 maj për të kundërshtuar sërish kryetarët e rinj shqiptarë, të zgjedhur në zgjedhjet lokale të 23 prillit.

Më 26 maj, grupe të serbëve lokalë dhe Policia e Kosovës u përleshën, teksa kryetarët e rinj komunalë hynë në ndërtesat komunale.

Bashkësia ndërkombëtare i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë nga vendimet, dhe të mos tentojë të “hyrjen me forcë” në ndërtesat komunale, teksa Prishtina ka mbrojtur qëndrimin se kryetarët e rinj duhet të shkojnë në zyrat e tyre.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, më 28 maj i bëri thirrje Kosovës që të mos ndërmarrë “hapa të njëanshëm dhe destabilizues” në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, por “çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese”.

Zgjedhjet lokale në veri u mbajtën pasi nëntorin e kaluar, krerët e katër komunave veriore, nga Lista Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – dhanë dorëheqje.

Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.
Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.