ANALIZË FOTO-REPORTAZH nga Greqia: Çmimet dhe shërbimet, shiu e “përmbyti” fillimin e sezonit veror! 

Me zbritje të disa nga produktet ushqimore bazë, por me çmime “të kripura” në restorante, Greqia fqinje, një nga destinacionet më të vizituara për qytetarët e Maqedonisë, do t’i presë turistët këtë vit. Por, ndryshe nga vitet e kaluara, ky sezon, sipas vlerësimeve të disa prej hotelierëve grekë, nuk filloi me ritëm të plotë, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Në prag të verës – shumica e objekteve akomoduese janë gjysmë të zbrazëta…

Roletat e ulura, vilat e mbyllura, kafiteritë ende të pa hapura – kjo është fotografia në disa nga lokacionet turistike më të vizituara në Greqi në fund të majit, muaj në të cilin vitet e mëparshme tashmë “vlonte” nga turistët. Moti i paqëndrueshëm, vala e ftohtë, shirat, era, e bënë të vetën – apartamente bosh, kapacitete gjysmë të mbushura të hoteleve.

“Për ne vera duhej të kishte filluar në maj, por… Ne duhet të jemi të përgatitur, për fat të keq turistët ende nuk kanë ardhur” – thotë menaxherja e një kompleksi hotelier.

Ajo sqaron se mysafirët aktualë kanë ardhur nga Anglia, Gjermania, Çekia dhe se ata janë turistë që i kanë paguar rezervimet kohë më parë dhe është dashur të udhëtojnë. Moti i paqëndrueshëm ka ndikuar tashmë edhe tek një pjesë e çmimeve – një natë me mëngjes në një nga komplekset hoteliere në krahun e parë të Halkidikit kushton 27 euro për person.

Edhe në plazhe pamja është e pazakontë për këtë periudhë të vitit. Pas një nate të premte me shi, të nesërmen ndjen ende ajrin e ftohtë pranë bregut të detit, turistë të veshur me rroba “vjeshte”.

“Sot hapëm restorantin. Vitin e kaluar në këtë periudhë kishim shumë mysafirë, filluam të punojmë në fund të prillit, ndërsa tani, në fund të majit, nuk ka mysafirë si vitin e kaluar. Shpresoj që në korrik dhe gusht të mund ta kompensojmë” – thotë një punonjës i një restoranti grek në një nga pikat turistike që ndodhet në Halkidiki.

Çmimet e akomodimit në vendet turistike më të njohura dhe për ne gjeografikisht më të afërta në Greqi ndryshojnë në varësi të afërsisë me detin, komoditetit, vendndodhjes.

Çmimet e ushqimeve në markete dhe restorante..

Për një frappe greke dhe një giro do të paguani 9 euro, kafeja kushton 5 euro nëse e pini buzë detit, ndërsa për një giro do të paguani 4 euro – këto janë çmimet e diktuara nga hotelierët në shumicën e vendeve turistike të Halkidikit. Edhe Greqia përballet me inflacion në rritje, dhe në përpjekje për t’i mbajtur klientët, disa tregje po ofrojnë çmime me zbritje, veçanërisht për produktet ushqimore bazë.

Çmimi i miellit, varësisht nga sasia dhe qëllimi, varion nga rreth 1 euro deri në mbi 2 euro, pra gjysmë kilogrami miell kushton 0,80 centë, ndërsa një kilogram shitet me çmim prej 1,45 euro deri në 2,30 euro.

Makaronat, varësisht nga lloji, shiten deri në dy euro ose pak mbi dy euro, kështu që një paketë makarona dietale me çmim të rregullt shitet për 2 euro, kurse llojet e tjera të makaronave bazë (makarona dhe shpageta) kushtojnë 1,40 euro. Në dyqane mund të shihen çmime me zbritje, veçanërisht për disa nga produktet ushqimore bazë. Çmimi i kripës për përdorim të përditshëm, në varësi të peshës, varion nga 0,65 cent deri në 2,25 euro për kilogram.

Salca e domates në një paketë prej 250 gramësh shitet me çmim prej 0,95 euro deri në 1,75 euro, gjysmë kilogrami fasule kushton 2,35 euro, ndërsa një paketë gjysmë kilogrami thjerrëza ka çmimin 1,80 euro.

 

Restorantet, tavernat, kafiteritë “mbajnë” thuajse të njëjtin nivel çmimesh për ushqime dhe pije, por megjithatë ka një diferencë çmimi në varësi të vendndodhjes turistike. Në restorante dhe taverna çmimi i një porcioni sallatë varion nga 8 euro e lart, kështu që sallata greke kushton 8 euro, ndërsa sallata Cezar, 9 euro. Sanduiçet shiten nga 8 deri në 9 euro, hamburgerët nga 7 deri në 10 euro.

Pijet freskuese, lëngjet e gazuara, kushtojnë nga 4 deri në 5 euro, birra shitet 5 euro, ndërsa një gotë verë kushton 6 euro, kurse më të shtrenjtat janë koktejet, çmimi i të cilave arrin në 10 euro. Çmimi i të gjitha llojeve të kafesë dhe i një gote çaji të ftohtë është 5 euro, ndërsa një porcion sallatë frutash është 7 euro.

Një porcion me fruta deti kushton nga 8,50 euro (sardelet) deri në 80 euro për 300 gram karkaleca, ndërsa një porcion me një copë mish me perime kushton nga 9 deri në 12 euro.

Turizmi është një nga degët kryesore ekonomike për Greqinë dhe çdo ditë e humbur pa “të ardhura devizore” nga turistët do të thotë humbje para së gjithash për biznesin dhe më pas për të gjithë ekonominë. Restorantet shpresojnë për një sezon të zgjatur veror, i cili për shkak të motit të paqëndrueshëm, presin të vazhdojë edhe në shtator.