38 raste me ethet e Nilit Perëndimor në RMV, filloi fushata për informimin e popullsisë
Ka nisur fushata me SMS për informimin e qytetarëve lidhur me ethet e Nilit Perëndimor, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski. Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), deri më 18 gusht në vend janë regjistruar gjithsej 38 raste të etheve të Nilit Perëndimor, 36 të konfirmuara dhe dy të mundshme, prej të cilave 37 në rajonin e Shkupit dhe një në Veles. Janë regjistruar edhe katër raste të vdekjes me formë neuroinvazive të sëmundjes, transmeton Portalb.mk.
Fushata përfshin dërgimin e gjithsej rreth 38.500 mesazheve te qytetarët në komunat e prekura.
“Dje (18 gusht) janë dërguar 6.526 mesazhe – dërgimi filloi në Komunën e Petrovecit (1.554 mesazhe), ndërsa më pas vazhdoi në Komunën e Gazi Babës. Për dërgim kanë mbetur edhe 31.365 mesazhe, të cilat gradualisht do t’u dërgohen qytetarëve gjatë periudhës së ardhshme. Rezultatet e deritanishme tregojnë një nivel të lartë angazhimi – deri në 70 përqind e mesazheve të dorëzuara janë lexuar nga pranuesit, të cilët kanë vizituar edhe linkun me informacione shtesë të përfshirë në mesazh”, tha ministri.
Personat e vdekur janë burra të moshës 62 deri në 83 vjeç nga Shkupi, të cilët ishin të hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup. Te tre prej personave të vdekur ishin regjistruar edhe sëmundje shoqëruese.
Nga 38 rastet e regjistruara, 28 janë meshkuj dhe 10 femra.
Pas shpalljes së epidemisë së etheve të Nilit Perëndimor në komunat Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom dhe Butel, po ndërmerren masa për kontrollin e mushkonjave.
Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISHSH) ka kryer kontrolle mbi aktivitetet e dezinfektimit në të gjitha komunat. Po vazhdojnë aktivitetet sistematike dhe të jashtëzakonshme, sipas indikacioneve epidemiologjike, për dezinfektimin larvicid dhe adulticid – nga ajri dhe në terren – në territorin e Qytetit të Shkupit dhe komunave Gazi Babë, Kisella Vodë (lagjja Draçevë), Haraçinë, Zelenikovë, Ilinden, Petrovec, Sopishtë, Çuçer Sandevë dhe Veles.
Deri më 14 gusht janë realizuar disa cikle trajtimi, përfshirë edhe ndërhyrje shtesë në sipërfaqet me ujë të ndenjur në zonat e prekura.
Autoritetet shëndetësore u bëjnë apel qytetarëve që t’i zbatojnë dhe respektojnë rekomandimet e dhëna.
“Largoni ujin e ndenjur nga oborri (pjatat e vazove, gomat e vjetra, kovat) dhe pastroni rregullisht ulluqet. Vendosni rrjeta mbrojtëse në dritare dhe dyer. Shmangni qëndrimin jashtë në agim dhe muzg, kur mushkonjat janë më aktive. Vishni rroba me mëngë të gjata dhe pantallona dhe përdorni repelentë. Në rast të shfaqjes së simptomave – temperaturë të lartë, dhimbje koke, ngurtësi të qafës dhe të ngjashme – kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe informoni mjekun për qëndrimin e mundshëm në zonat e prekura”, tha ministri.