Këtë vit në RMV janë regjistruar katër raste me malarie, tre me dengë, një me zika dhe tetë me ethe të Nilit Perëndimor

Në Maqedoninë e Veriut këtë vit janë regjistruar katër raste me malarie, tre me dengë, një me virusin zika dhe tetë raste me ethe të Nilit Perëndimor, bëri të ditur sot në një konferencë për media ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski. Edhe pse të gjitha këto sëmundje transmetohen nga mushkonjat, ato kanë origjinë të ndryshme. Për rastet me malarie, dengë dhe zika, Klekovski tha se janë “të importuara”, ndërsa rastet me ethe të Nilit Perëndimor janë vendore, transmeton Portalb.mk.

“Virusi zika ka ndikim negativ te gratë shtatzëna, denga është ethe hemorragjike dhe kërkon kujdes të shtuar, ndërsa për malarien dihet se në format e rënda mund të jetë edhe fatale. U bëj thirrje njerëzve që udhëtojnë në Afrikë dhe në rajonin e Oqeanit Indian, veçanërisht në Zanzibar dhe Maldive, t’i ndjekin rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për nevojën e vaksinimit dhe profilaksisë. Në Qendrën për Shëndet Publik në Shkup dhe në qendrat përkatëse janë në dispozicion rekomandimet dhe profilaksitë përkatëse. Edhe pse përqindjet janë shumë të vogla, është e rëndësishme që qytetarët të marrin masa mbrojtëse dhe që mjekët amë dhe infektologët ta kenë parasysh në anamnezë edhe udhëtimin në Afrikë dhe në rajonin e Oqeanit Indian. Çelësi është mbrojtja dhe ndërhyrja e hershme”, tha Klekovski.

Nga tetë rastet me ethe të Nilit Perëndimor, dy janë regjistruar në qershor, ndërsa gjashtë të tjerat janë raste aktuale.

“Njëri rast lidhet me Greqinë, ndërsa të tjerët janë persona të moshës 60 deri në 70 vjeç dhe supozojmë se janë raste lokale. Aktualisht është dhënë udhëzim për Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor që të kontrollojë fazat e dezinsektimit në komuna dhe, sipas kontrolleve, të gjitha komunat më të rëndësishme e kanë përfunduar programin e dezinsektimit. Rastet janë në Veles dhe Shkup, pra në rajonin e Povardarisë. Është vepruar sipas protokolleve epidemiologjike dhe te shtatë nga rastet është kryer dezinsektim shtesë në një rreze prej 200 metrash nga vendbanimi i tyre, që është procedurë standarde epidemiologjike. Njëri person refuzoi që dezinsektimi të kryhej në pronën e tij”, tha ministri.

I pyetur nga gazetarët se si mundet një individ të refuzojë dezinsektimin, Klekovski sqaroi se këto procedura kryhen nga qendrat për shëndet publik, por për hyrje në pronë private nevojitet urdhër.

“Në atë moment një urdhër i tillë nuk ishte i disponueshëm dhe procedura është kryer mbi bazë vullnetare. Do ta shqyrtojmë më tej këtë rast me Qendrën për Shëndet Publik. Rasti është në rajonin e Shkupit”, tha ai, duke shtuar se në rreth 80 përqind të rasteve me ethe të Nilit Perëndimor nuk shfaqen simptoma.

Ai rikujtoi se që nga viti i kaluar, në programin e Institutit për Mjekësi Transfuzionale është përfshirë edhe testimi standard i gjakut për virusin e etheve të Nilit Perëndimor, i cili kryhet nga prilli deri në tetor, për të shmangur transmetimin e mundshëm të virusit përmes dhurimit të gjakut.

“Që nga viti i kaluar kemi garanci se nuk do të ketë transmetim të këtij virusi përmes gjakut”, theksoi Klekovski.

Ministri tha se Ministria është në komunikim edhe me Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari (AUV) për monitorimin e mushkonjave.

“Do t’u rekomandoja qytetarëve të kenë kujdes për mbrojtjen personale nga mushkonjat, veçanërisht pranë ujërave të ndenjura, pellgjeve, kënetave dhe vendeve të ngjashme. Jemi në komunikim me të gjitha strukturat përkatëse dhe po e ndjekim nga afër situatën”, përfundoi Klekovski.